Ilaçet e palejueshme janë dy llojesh:

1. Ilaçe që janë të pështira dhe të cilat natyra (e njeriut) i ndien si të pështira. Si të tilla, ato nuk ndihmojnë aspak për largimin e sëmundjes, siç janë helmet e ndryshme, mishi i gjarpërinjve e pisllëqe të tjera. Këto janë të rënda për zemrën dhe barkun, prandaj janë më tepër sëmundje sesa shërim. Ka edhe disa ilaçe të tjera, që nuk janë të urryera në vetvete, si, për shembull, disa lëngje që pinë gratë shtatzëna.

2. Ilaçe të cilat nuk janë të pështira dhe natyra mund t’i pranojë, por që dëmi i tyre është më i madh se dobia. Në këtë rast, logjika gjykon që edhe ato janë dhe duhet të jenë haram, duke qenë kështu në përputhje me gjykimin e Sheriatit.
Ka edhe një të fshehtë tjetër prapa moslejimit të përdorimit të harameve si ilaçe. Që të bëhet i mundur shërimi nëpërmjet një ilaçi, duhet që natyra ta pranojë atë dhe të besojë fort në efektshmërinë e tij. Ajo duhet të ketë një bindje të fortë në begatinë që i Madhëruari ka vendosur në atë ilaç, sepse aty ku Zoti ka vendosur begati, pikërisht aty gjendet shërimi. Sa më e begatshme të jetë diçka, aq më i madh dhe i plotë është shërimi që ajo sjell. Po kështu, edhe njerëzit e begatshëm dhe të mirë, kudo që shkojnë, sjellin dobi dhe mirësi, me lejen e Zotit të Lartësuar. Muslimani, nga ana tjetër, beson se gjithçka që ka ndaluar Allahu nuk ka qenë e mirë ose e begatshme. Rrjedhimisht, ai nuk ka një mendim të mirë për substancën e ndaluar dhe sistemi i tij nuk e pranon atë.
Sa më i fortë të jetë besimi i robit, aq më tepër e urren haramin, duke besuar se ai është diçka e ndyrë. Kësisoj, nëse ai i përdor substanca të tilla, ato do të bëhen sëmundje dhe jo ilaç për të, veç nëse ai beson se ato janë të pastra dhe neveritja ndaj tyre zbehet. Për këtë arsye, besimtari i vërtetë nuk e pranon substancën e ndaluar, por e konsideron atë si sëmundje, përndryshe ai do të bjerë në kundërshtim me fenë e tij.

ZEAD EL MEAD
IBN KAJIM EL XHEUZIJE

Artikulli paraprakSi të shërosh plagët në mjeksinë profetike
Artikulli vijuesDieta e shëndetshme në mjeksinë profetike