Ilir Meta fton Izraelin të eksplorojë Shqipërinë

0
222
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e 67-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Izraelit.
 
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin anëtarë të Kabinetit Qeveritar, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe personalitete të njohura të jetës publike në Shqipëri.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta u shpreh se në një kohë që Izraeli gjatë këtij viti feston 67-vjetorin e tij, ne shqiptarët, Evropa dhe bota feston 70-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe ndërkohë të gjithë kujtojmë një nga momentet më të errëta dhe më të paimagjinueshme të historisë sonë moderne ku tirania dhe racizmi institucional mizor synoi zhdukjen e një kombi të tërë.
 
“Njëkohësisht kujtojmë me krenari sakrificën e jashtëzakonshme të gjithë kombit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri duke hapur dyert e familjeve të tyre e duke mbrojtur shumë të tjerë që gjetën strehë në gjirin e mikpritjes, dashurisë dhe besës shqiptare gjatë viteve të luftës. Ne jemi krenar se Shqipëria është një vend i rrallë në kontinentin tonë ku asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesit. Por jo vetëm kaq, po ku numri i hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore ishte disa herë më i madh se përpara fillimit të saj”, tha Meta.
 
Kryetari i Kuvendit theksoi se është një kontribut për të cilin Izraeli dhe kombi hebrenj e kanë shprehur vazhdimisht mirënjohjen për mikpritjen, bujarinë dhe besën tonë, dhe e kanë njohur atë në regjistrin e të drejtëve mes kombeve në Yad Vashem ku shprehet mirënjohja për të gjitha ato familje shqiptare që rrezikuan jetët e tyre në mbrojtje të popullit hebre.
 
“Gjatë këtij viti, ne bashkë me pavarësinë e Izraelit, ne të gjithë bashkërisht nderojmë sakrificat e një brezi të tërë që nuk e pranoi realitetin që synoi t’i imponojë, por që me jetën e tyre vendosën të ndryshojnë historinë për gjenerata të tëra, por mbi të gjitha për ata që sot jetojnë në Izrael. Shqipëria i kushton shumë rëndësi rritjes dhe forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik dhe të gjithanshëm me Izraelin dhe besoj se do të ecim shumë më shpejt përpara në rrugën e dinamizmit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona në të gjitha aspektet”, tha z. Meta duke shtuar se dy vendet ndajnë bindjen se miqësia midis Shqipërisë dhe Izraelit nuk bazohet vetëm tek lidhja e fortë shpirtërore dhe historike që gëzojnë dy popujt tanë.
 
“Marrëdhëniet tona gjejnë nyje të përbashkëta lidhëse dhe me vlerat që të dy popujt ndajnë, në kontributin që të dy vendet japin në dobi të stabilitetit dhe të sigurisë, por mbi të gjitha në shfrytëzimin e potencialeve të shumta që kemi përpara për bashkëpunim. Ne kemi shumë çfarë të mësojmë nga ekspertiza e Izraelit dhe izraelitët kanë shumë se çfarë të eksplorojnë në Shqipëri, si në aspektin ekonomik e shoqëror, por edhe për të shijuar mundësitë turistike që ofron vendi ynë”, theksoi Meta.
 
Meta uroi të pranishmit dhe Izraelin për Ditën e Pavarësisë, ndërsa i garantoi për angazhimin maksimal në interes të forcimit të këtij partneriteti të gjithanshëm mes dy vendeve.
 
“Duke dëshiruar ngritjen edhe më lart të kësaj miqësie reciproke dhe duke ju garantuar për angazhimin tonë maksimal në interes të forcimit të këtij partneriteti të gjithanshëm që ne gëzojmë sot, ju uroj nga zemra Ditën e Pavarësisë. Po e mbyll me rreshtat e famshëm që nuk do rresht kurrë së përsërituri se: “Kush vret një shpirt, vret gjithë botën dhe kush shpëton një jetë, shpëton botën mbarë”. Ju uroj gëzuar Festën”, tha kryetari i Kuvendit./Shekulli/