Ilir Meta: Mos e përdorni më Doshin e Priftin për falsifikime

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, doli në foltoren e Kuvendit për të deklaruar se të gjithë akuzat që po bëhen ndaj tij janë vetëm falsifikime.

“Ka rreth një muaj që po bëhemi dëshmitarë të një operacioni mafioz politik, mediatik dhe financiar për të përfshirë me domosdo përmes një propaganda mashtruese, e cila nuk mbështetet në asnjë fakt e në asnjë provë përmes financimit mafioz të emisioneve e gazetarëve që fabrikojnë të pavërteta, dhe kolegë të caktuar deputetë që bëhen zëdhënës të tyre. E gjitha bazohet mbi falsifikimin”.

“Lidhur me këtë histori që na paska nisur nga një agjenci kaq serioze si BIRN, dhe një kompani që e paska kontraktuar qeveria aktuale, gjithçka është e qartë. Çdo gjë ka qenë e studiuar mirë, por operacioni është i mjerë sepse bazohet mbi falsifikime…

Agjencia BIRN ka përmendur emrin tim, pasi i referohet raportit të studios, që nuk është angazhuar nga qeveria aktuale, por nga qeveria e mëparshme”.

Meta tha se ish-kryeministri që përmendet në dokument, është dikush tjetër. Meta nuk përmendi emër, por mediat kanë publikaur fakte se ai është Vilson Ahmeti. “Ka dalë shumë qartë nga faktet dhe dokumentet, që ju nuk doni t’i pranoni, se ka qenë një ish-kryeministër, që ka përfituar transferta nga DIA, për llogari të kompanisë private.DIA ka mbledhur vetëm 20 përqind të borxheve. Kompanitë e tjera merrnin automatikisht borxhet”.

Më pas Meta tha se është mashtrim akuza se ai ka shkuar në Çeki për të negociuar për çështjen e borxhit.

“Një falsifikim tjetër është që unë kam ikur në Pragë për të negociuar. Mos u merrni me të tilla spekulime të mjera. Unë nuk kam besim tek Hejsek, se ata nuk i mbanin premtimet dhe Shqipëria ishte pa drita dhe me probleme të jashtëzakonshme, habitem si titullarët e tjerë të qeverisë paskan besim tek ky zyrtar. Por Hajsek në mënyrë eksplicite ka bërë të qartë se propozimin për Ismailajn e ka bërë ambasadori shqiptar, që ka qenë shumë përpara meje, duke thënë se është njeri i besuar i ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit Sali Berisha. Unë nuk besoj se zoti Berisha ka qenë i implikuar në këtë rekomandim, edhe pse ambasadori është emëruar prej tij. Juve ju pëlqen ajo pjesë që doni ju. Ne duhet të themi të vërtetat siç janë. Unë jo vetëm nuk kam shkuar në Pragë, por kam qenë atje për Kongresin e Partisë Socialiste Europiane, se ka qenë zoti Balla atje, por nuk i kishim marrëdhëniet shumë të mira atëherë. Nuk kam qenë atje për të diskutuar me CEZ për çështje që nuk kanë lidhje me funksionin tim”.

“Mos u stërmundoni duke përdorur Dritan Priftin dhe Tom Doshin duke shpifur për herë të tretë për Ilir Metën. Më kërkoni dorëheqjen mua, po përse të jap dorëheqjen? Se ka mashtruar gazetarja e BIRN? Se kompania nuk e ka përmendur në asnjë rast emrin e Ilir Metës? Mbi çfarë fakti, mbi çfarë baze, çfarë prove? Atëherë e dhashë dorëheqjen, edhe pse Sali Berisha më tha mos jep dorëheqjen. Por atëherë e dhashë se kisha konflikt interesi”.

Meta tha se është për hetim ndërkombëtar, madje për hetim nga amerikanët, duke shpjeguar se përse kërkon hetim nga SHBA.“Kam dëgjuar mafiozët që thonë se shkrimi është bërë nga ambasada amerikane. Unë jam gati të ballafaqohem me amerikanët, me shqiptarët, pasi jam i bindur te drejtësia dhe transparenca”.

Artikulli paraprakRama kundër Metës dhe Berishës për hetimin ndërkombëtar të CEZ
Artikulli vijuesNis lotaria amerikane: Ja si mund të aplikoni