Imazhi i “zymtë” i Kosovës

Imazhi, i cili është krijuar në sytë e botës për Kosovën, ende mbetet i zymtë, pavarësisht përpjekjeve të kësaj të fundit që ta përmirësojë atë, që nga shpallja e pavarësisë së vendit në shkurtin e vitit 2008, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Shpend Kursani, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, vlerëson se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, diplomacia apo kundër-diplomacia e Serbisë ka qenë shumë e ashpër ndaj Kosovës, por edhe mjaft efektive në dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Por, siç thotë ai, imazhit të Kosovës, shërbim të keq i kanë bërë edhe vetë kosovarët.

“Përveç që Serbia e ka dëmtuar imazhin e Kosovës me diplomacinë e vet, edhe vetë ne, brenda shtetit, nuk ia kemi lënë fort keq, pasi që në mënyrë të vazhdueshme kemi treguar se nuk jemi në gjendje ta luftojmë krimin e organizuar, për çka edhe Kosova njihet më së shumti në arenën ndërkombëtare. Hapat që i kemi marrë ne, më shumë kanë qenë hapa kozmetikë, për ta përmirësuar imazhin, sesa hapa substancialë, që kishin për ta përmirësuar këtë imazh”, thotë Kursani.

Politologu Behlul Beqaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se imazhi i Kosovës varet nga zhvillimet që ndodhin përbrenda saj.

“Realisht, në një gjendje ku gjysma e më tepër e popullit është e uritur dhe gjysma e më tepër e popullit, ekonomikisht aktiv, është e papunë, ku dominon korrupsioni dhe mediat e Kosovës radhiten në vendin e 102, nuk mund të themi se e kemi imazhin e mirë”.

“Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për t’u ndryshuar, me qëllim të përmirësimit të imazhit. Një është e sigurt, imazhi më së paku varet nga ata, të cilët po krekosen se kanë bërë diçka dhe janë të lidhur me pushtetin. Më shumë varet nga të tjerët, që janë objekt, mbi të cilët po sundon pushteti dhe në fakt, ata janë qytetarët”, vlerëson Beqaj.

Ndryshe, analisti Kursani vlerëson se ka mjaft shembuj, të cilët, siç thotë ai, ia kanë nxirë ose zbardhur fytyrën Kosovës.

“Ajo që ia ka nxirë faqen Kosovës, fatkeqësisht, është lajmi gjoja për përfshirjen e kryeministrit të Kosovës në trafikim të organeve, pa marrë parasysh që verdikti ende nuk është marrë dhe hetimet vazhdojnë. Kjo padyshim se ka qenë goditja më e madhe ndaj imazhit të Kosovës”.

Gjithashtu, Kursani shton se së fundmi, rasti i ashtuquajtur “Medicus”, ku janë dënuar 5 persona për përfshirje në trafikim me organe njerëzore, ndonëse nuk ka ndërlidhje me akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty ndaj kryeministrit të Kosovës, ka nxjerrë dy pamje për Kosovën.

Pamja e keqe, sipas tij, është vetë veprimtaria kriminale, ndërkaq, pamja e mirë është se ligji në Kosovë vepron, pavarësisht rrethanave.

Në anën tjetër, shembull i keq për imazhin e Kosovës, sipas politologut Beqaj, ende mbetet veriu i vendit dhe pasiguria atje.

“Përderisa kemi, për shembull, prej janarit e deri sot, vetëm në veri, mbi 20 e më tepër kurdisje të bombave apo mjeteve shpërthyese, të cilat për çdo ditë janë pjesë e mediave botërore, çfarë përshtypje mund të krijojë një qytetar që jeton në një vend tjetër, larg Ballkanit, në Evropë, Amerikë apo diku tjetër”.

“Pra, përderisa kemi shpërthime të vazhdueshme dhe pasiguri, e cila për çdo ditë e më shumë po shfaqet, jo vetëm përmes mediave, por edhe në realitet, atëherë, përshtypjen, në mënyrë dominuese, e bëjnë fotografitë që dalin nga këto pjesë se sa deklaratat e politikanëve, të cilët e flasin të kundërtën”, shton Beqaj.

Ndryshe, Kursani thekson se Kosova shumë pak e ka shfrytëzuar diasporën e saj për përmirësimin e imazhit, ku, sipas tij, ka mjaft shqiptarë të Kosovës të suksesshëm në fusha të ndryshme, të cilët do të ndikonin pozitivisht në këtë imazh.

Ndërkaq, politologu Beqaj shpreh edhe një herë bindjen se vetë qytetarët janë ata që mund ta përmirësojnë imazhin Kosovës. Por, sipas tij, tash për tash, qytetari është i hendikepuar për shkak se, siç thotë ai, është krijuar një raport abuzues në institucione.

Derisa nuk ndryshohet ky raport, thotë Beqaj,nuk mund të pritet që qytetari do ta ketë guximin që të bëjë diçka që, sipas tij, do të mund ta rrezikonte edhe ekzistencën e tij./rel

Artikulli paraprakSekreti i 11 thasëve të Titos
Artikulli vijuesZgjerohet skandali i trafikimit të organeve në Kosovë