Imazhi për emigrantët arabë dhe muslimanë tepër negativ

Në Evropë revolucionet në botën arabe u përshëndetën nga shumë vetë. Por qendrimi i medieve evropiane ndaj njerëzve nga këto rajone është më pak pozitiv.
Që me fillimin e kryengritjeve në botën arabe në ishullin italian Lampedusa erdhën rreth 6300 refugjatë, shumica nga Tunizia. Ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni e quajti këtë një “cunam njerëzor”. Sot organizatat humanitare e kanë të pamundur të japin përgjigje të rreth numërit të përafërt të migrantëve që kanë kërkuar që prej shpërthimit të revolucioneve në botën arabe strehë në Bashkimin Evropian.

“Rituali i zakonshëm”

Politikania Lale Akgün (SPD) kryetare e grupit për “Çështje Ndërkombëtare dhe një politikë botërore” në NRW, i di shifrat për Gjermaninë: Vetëm nga Siria në vitin 2011 ka pasur rreth 4000 vetë që aplikuan për azil – dhe këtë vit, ka pasur më shumë se 50.000 refugjatë nga vendet arabe.
“Ky është ritual i zakonshëm dhe që e njohim, sa herë është fjala për refugjatët”, thotë Lale Akgün. Ndërsa shtypi i majtë liberal e trajton çështjen e refugjatëve nga perspektiva e emigrantëve, shtypi konservator përdor tituj të tillë si për shembull gazeta e përditshme “Die Welt”: “Dilema gjermane me refugjatët nga Siria”.
Provokimi si refleks
Përveç kësaj, mediat evropiane nxitojnë t’i vlerësojnë proceset, në vend që t’i paraqesin ato sa më me objektivitet, kritikoi Andreas Schwarz, nga Universiteti Teknik i Ilmenaut në Turingji. “Kjo ndodh shumë shpejt – si një refleks”, sepse, fatkeqësisht gazetaria jeton prej provokimit.

“Gjëja më e keqe mendoj se janë komentet e lexuesve, sidomos në mediat e shtypura dhe online,” tha Lale Akgün. Në to gjen shumë deklarata raciste me modelin bazë: “Ne nuk kemi nevojë për këta njerëz, ata vijnë për të pushuar në sistemin tonë shoqëror”.
Por komente të tilla kanë si shkak dhe faktin se mediat perëndimore raportojnë shumë pak gjëra pozitive në lidhje me emigrantët, thotë gazetari tunizian Salah Methnani: “Nëse mediat përpiqen për të portretizuar jo vetëm anët negative, atëherë edhe imazhi i emigrantëve në mendjet e qytetarët evropianë do të ndryshojë. “

Debate rreth refugjatëve të krishterë
Debate shkakton veçanërisht çështja e shtruar për diskutim nëse Gjermania si vend i krishterë duhet të pranojë sidomos refugjatë të krishterë. Edhe në këtë mes mediat luajnë rol. Lale Akgün ankohet se gazetat konservatore si “Die Welt” ose “Frankfurter Allgemeine Zeitung” u kanë dhënë mundësi politikanëve të krishterë për të shprehur dëshirat e zemrës së tyre. Ata thonë që, emigrantëve të krishterë duhet t’u ofrohet me preferencë azil për shkak se presioni i persekutimit për ta është më i lartë.
Ashtu si në Gjermani edhe në mediat evropiane numri i madh i refugjatëve paraqitet si një kërcënim për ekonominë BE. Lale Akgün ankohet se vetëm pak media u ofrojnë vend për t’u shprehur si kundërshtarëve dhe mbështetësve të preferencës për refugjatët e krishterë. Mediat duhet të raportojnë në mënyrë më të balancuar që njerëzit të mund të formojnë vetë një opinion, mendon Akgün./DW

Artikulli paraprakMerkel: Në të ardhmen e afërt BE-ja nuk është në gjendje për zgjerim të mëtejshëm
Artikulli vijuesRikthimi si biznesmenë i Heronjve Amerikanë