Infermierët po ikin nga Kosova

Kuadri specialistik mjekësor në Kosovë, është më i interesuar të punojë në vende të ndryshme të botës. Edhe infermierët po e ndjekin rrugën e mjekëve specialistë.

Vetëm nga Qendra Emergjente, gjatë vitit të kaluar kanë ikur më shumë se 10 infermierë, gjë që ka bërë që kjo klinikë si më e frekuentuara në tërë Qendrën Klininike Univrsitare të Kosovës dhe qendër terciare referente për gjithë Kosovën, të mbetet me mungesë të kuadrit të mesëm.

Shpend Gashi, infermier në Qendrën Emergjente, tashmë ka kryer të gjitha procedurat dhe testet e nevojshme në Gjermani. Ai jep arsyet për Radion Evropa e Lirë, se pse ka vendosur ta lëshojë punën. “Kushtet elementare për një punë të rregullt mungojnë në QKUK.

Unë punoj në qendrën emergjente. Këtu ka shkelje të punëtorëve nga personeli më i lartë. Nuk respektohen infermierët, ndonëse janë krahu i djathtë i doktorit”.

“Pastaj unë kam të kryer fakultetin e infermierisë dhe paguhem sikurse infermierët me shkollë të mesme. Mendoj se paga është ajo që ndikon më së shumti që njerëzit kërkojnë një jetë më të mirë”.
“Unë pretendoj të shkoj në Gjermani. Në kontakt me ta kam rënë përmes një delegacioni që kanë qenë në Kosovë.

Më ftuan atje për një hospitacion siç e quajnë ata, të shohin se sa jam në rrjedha të punës, dhe janë ndarë me përshtypje të mira. Kam marrë ftesë nga ta dhe do të shkoj atje me bashkëshorten time, pasi që dhe ajo është infermiere”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq drejtori i Qendrës Emergjente Basri Lenjani, ka bërë të ditur se kjo klinikë ne kohë të fundit po ballafaqohet me mungesë të madhe të infermierëve.
“Një pjesë e tyre ikin në shtetet perëndimore për kushte më të mira të punës dhe mbijetesës. Unë si drejtor kam apeluar nga akterët kryesor që këta njerëz t’i ndalim në shërbime tona duke i stimuluar në forma të ndryshme, por nuk është shprehur ndonjë gatishmëri , që infermierët që po ikin të plotësohen me infermierë tjerë, për shkak të buxhetit të limituar”.

“Vetëm për periudhën një vjeçare kanë ikur mbi 10 infermierë. Shumica janë duke ndjekur kurse të gjuhëve të huaja dhe shtetet e Bashkimit Evropian po i marrin këta infermierë të gatshëm, dhe nuk kanë nevojë që të bëjnë asnjë trajnim shtesë për ta. Në qoftë se këta nuk mbështeten në mënyrën e duhur, Qendra Emergjente do të zbrazet së shpejti”, tha Lenjani.

Drejtoresha e Infermierisë Lirie Beqiri, ka thënë se numri në rritje i ikjes së infermierëve po ndodhë me vullnetin e tyre dhe se Kosova nuk ka ndonjë marrëveshje ndërshtetërore me shtetet e BE-së për pranimin e infermierëve atje.

“Sa i përket ikjes së infermierëve nuk i di arsyet, por sigurisht se bëhet për një jetë më të mirë në vendet e BE-së. Ata po gjejnë forma dhe po konkurrojnë përmes formave të ndryshme, po shkojnë në punë provuese dhe po i kalojnë testet”.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se është në procedurë Ligji për Shërbime Emergjente ku më pastaj me udhëzime administrative do të mundohen të rregullojnë dhe gjejnë stimulime shtesë për mbajtjen e infermierëve në punë.

“Në Klinikën Emergjente, prej vitit 2014 rreth 10 infermier e kanë lëshuar punën. Këto nevoja nuk kanë arritur të plotësohen tërësisht. Ne si Ministri e Shëndetësisë, po mundohemi që t’i mbajmë në punë këta punëtorë dhe gjithë të tjerët”, tha Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë.

Ndryshe, vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë.

Me kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe me pagesë, nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja e ikjes nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa, në mënyrë që të zvogëlohet numri i mjekëve që ikin dhe të krijohen mundësi të kthehen, siç kanë thënë ata, truri i Kosovës, pasi që ata që kryejnë specializimet, edhe aftësohen për punë.

Sidoqoftë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të punësuar 613 mjekë dhe 1,882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj
Artikulli paraprakCertifikohen 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes
Artikulli vijuesBien çmimet e prodhimeve bujqësore