Certifikohen 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes

0
217
Janë certifikuar 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas një trajnimi nëntë javor të bërë nga profesorët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
 
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave u tha se përvoja e marrë në këtë trajnim do të shërbejë për të rritur profesionalizmin në mësimdhënies dhe mësim-nxënie.
 
Kapiten Arbert Kuçi, instruktor në Qendrën Kolektive të Trajnimit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, ishte njëri nga ata që ka ndjekur trajnimin nëntë javor, nga i cili thotë se ka përfituar metodat me të reja të mësimdhënies për të rritur, që do t’u ndihmojë në të ardhmen në ligjërimin e tyre para kadetëve të rinj.
 
“Për nëntë javë rresht, ne kemi mësuar metodat me të reja të mësimdhënies, sidomos të mësimdhënies me të rritur, gjë që na ndihmon shumë në të ardhmen. Sepse të gjitha ligjëratat dhe instruksionet do t’i përdorim në punën tonë të përditshme që do ta bëjmë në të gjitha qendrat dhe shkollat e FSK-së”, thotë kapiten Kuçi.
 
Bazuar edhe në përvojat e tyre të mëhershme, Kuçi thotë se do t’i gërshetojnë edhe metodat e reja të cilat i kanë marr në Fakultetin e Edukimit, në punën e tyre gjatë ligjërimit, instruksioneve dhe punës së përditshme me kadetët dhe kursantët nëpër shkollat e Komandës së Doktrinës dhe Trajnimit në FSK. Ai mendon se trajnime të tilla do të nevojiten edhe në të ardhmen.
 
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, tha se ndjehet i nderuar për përfundimin e një projekti shumë domethënës, edhe për Fakultetin e Edukimit, por edhe për FSK-në.
 
“Shpresoj që në këtë projekt të përbashkët FSK-ja ka përfituar mjaft në përsosjen e mëtutjeshme të këtyre pjesëtarëve, të cilët pretendojnë që dijen që kanë marr këtu edhe para se të jenë këtu t’i bartin tek kadetët tjerë në mënyrë që atë forcë që të gjithë e respektojmë ta bëjmë ende me të përgatitur dhe me profesionale për të gjitha sfidat e ardhshme në të cilat mund të kalojë shoqëria jonë”, tha Zejnullahu, përcjell Kosovapress.
 
Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi tha se tashmë janë duke u parë rezultatet e para të këtij trajnimi. Cikaqi thotë se për këtë trajnim janë zgjedhur 25 instruktorët me të mirë të cilët janë me kualifikime të larta dhe që bëjnë punën e instruktorit dhe ligjëruesit në KDS.
 
“25 instruktorët janë të KDS-së, ata kanë kryer punën e ligjëruesit dhe ky trajnim veç ka filluar që t’i ketë efektet e veta në ligjërim, për shkak se tash ne kemi filluar një standard edhe me metodat me të reja që i kanë profesorët këtu në fakultetin e Edukimit dhe është duke dhënë rezultate. Unë jam shumë i sigurt që do të ndihmojë shumë edhe në punën e ardhshme të instruktorëve tanë”, tha Cikaqi.
 
Ai shtoi me tutje se pavarësisht se instruktorët e FSK-së kanë kualifikime nga jeta civile dhe kanë një përvojë shumë të gjatë si instruktor, rifreskimi i dijës dhe i metodave të reja tash të ligjërimit të mësimdhënies, është i domosdoshëm që të rifreskohet dija dhe profesionalizmi i tyre.
 
Bashkëpunimi me trajnime të llojit të tillë do të vazhdojë edhe me tutje mes FSK-së dhe Universitetit të Prishtinës.
 
Dekani i Fakultetit të Edukimit Et’hem Çeku tha se ndihen të nderuar që kanë pasur mundësi t’i trajnojnë ata që kanë bërë sakrificë në kohën me të vështirë dhe tani që po bëjnë sakrificë edhe me të madhe për të ndërtuar jetën institucionale të Kosovës.
 
“Ne jemi të nderuar që kemi pasur një pjesë të eprorëve që kanë qenë në Fakultetin tonë. Unë ndaj një kënaqësi të veçantë, sepse një pjesë e tyre kam pasur rastin t’i njoh edhe në periudha të vështira që ka kaluar vendi ynë. Aq sa kanë bërë sakrificë në kohën me të vështirë, tani bëjnë sakrificë me të madhe për të ndërtuar jetën institucionale në shtetin tonë”, tha Çeku.
 
Trajnimi ka zgjatur nëntë javë, ku janë trajnuar 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj. Ligjërues kanë qenë profesorët e Fakultetit të Edukimit.kohaislame