“Xhamia” e fort dëshiruar prej muslimanëve ndër vite, e thënë ndryshe “Xhamia e madhe”, e plazmuar si një sendërgji fuqie, prezence, autoriteti, por dhe si një kundërmësymje ndaj lartimit të dy objekteve të kultit të krishterë, sot shumë pak ka në rrënjë të kësaj sendërgjie elementë racionaliteti me bazë të kulluar fetare. Mjafton të theksohet se të ndërtosh xhami të Namazgjaja, do të thotë të ndërtosh një xhami te xhamia (!); ose ndryshe, të prishësh një xhami (namazgjaja është në thelbin e vet funksional një xhami), për të ndërtuar aty një xhami. Po të ishte për xhami klasike, me funksion utilitar të faljes 5 herë në ditë, atë fort mirë do ta kishin bërë të parët tanë, me shumë pushtet at`botë, por ata e lanë Namazgja, e cila, sot është shumë më e domosdoshme se një xhami e madhe në qendër të Tiranës. Namazgjaja zgjidh se ku do falen dy Bajramet, ndërsa xhamia nuk zgjidh jo se jo se ku do falen Bajramet, por as hallin e ndonjë xhemati në Tiranë, nëse ndërtohet te Namazgjaja. Pyes: Nëse te Namazgjaja do ndërtohet një xhami, por Namazgjaja cila do jetë më pas? Dhe fjala është si për Namazgjanë historike e si për atë aktuale e praktike. Në traditën islame, dihet qartazi e nuk ka ngrënë ndonjëherë diskutim se namazet e dy Bajrameve, nuk kanë të bëjnë me xhami klasike, të vogla a të mëdha qofshin, por me sheshe të hapura, të quajtura…Namazgja; e kjo që nga koha e Profetit (s.a). Kështu që simbioza mes një xhamie të re e të madhe për falje Bajramesh, është një gabim trashanik, që për fatalitet është shndërruar në një fiksasion kolektiv në rradhët e besimtarëve. Kush ka qenë prezent në takimin ku ish-kryebashkiaku Rama prezantoi për herë të parë idenë për xhaminë e re në ambientet e Sheraton-it, duhet ta mbaj mend një diskutim mes tij dhe një ish-mikut të tij profesor muzike njëherësh besimtar musliman, që unë po përpiqem ta riprodhoj besnikërisht, jo si fjalosje, por si shpalosje qëndrimesh:
Profesori: “Edi, po si do ja bëjmë për bajrame, se ti e ke pa, 50 mijë veta u falën në bulevard….”
Edi: “Profesor, ato mund të kenë qenë më pak ose më shumë se 50 mijë e këtë nuk e di më saktësi, por di se në vitet që vijnë mund të jenë akoma më shumë. Xhamia e re nuk ka lidhje me bajramet, sepse sado e madhe, kurrë nuk mund t`i nxë aq njerëz. Bajramet do vijojnë të falen te sheshi “Skënderbej” drejtuar nga Et`hem Beu, që pas rikosntruksionit të sheshit, do jenë më komode”.
Tani, nëse ne kemi arritur deri në këtë pikë, sa Ed Rama të na e sqarojë, jo me sunet, por më laps, që Bajramet nuk duhen ngatërruar me xhaminë e re, kjo është një derexhe e jona për të vënë kujën. Ndaj dhe njëherë pyesim se çfarë zgjidh xhamia e re të Namazgjaja, përveç karshillëkut ndaj dy objekteve të tjera të kultit, ngritur vitet e fundit, njëra në krah të Namazgjasë e tjetra prapa Ministrisë së Mbrojtjes. E që në traditen islamë, nuk gjen argument për shfaqje karshillëku, kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe e provueshme, por për ilustrim real se ç`ndodh kur një objekt ngrihet me tendencë karshillëku, do ju referoja të shihnit xhaminë e Xarës në Sarandë, e cila, e ndërtuar majë një kodre për “inat” të grekut e një kryqi tre-katër kilometra në vijë ajrore, prej vitesh po rrënohet e kalbet në vetminë e vet e krenarinë boshe (ngaqë është bosh, kuptohet)!
Sa për shkrimin e Artan Shkrelit të Shqiptarja.com ditë më parë, autori nuk ka shenjtëruar selvitë e Namazgjasë, por vetë Namazgjanë, e cila, zyrtarisht është monument kulture. Ndaj, nuk duhet ngatërruar konteksti i shqetësimit të Shkrelit. Nuk është ndonjë habi që, sentimentet tona si muslimanë të puqen me sentimente jomsulimanësh. Për mua personalisht, – mund ta kem dhe gabim -, këto sentimente puqen; dhe nuk e fsheh kundërshtinë time të hapur për eliminimin e një hapësire historike e fetare, për të ndërtuar aty një xhami krejtësisht të panevojshme, që, gjykuar dhe nga parametra urbanistikë, përbën një gafë të rëndë brenda këtij tagri.
Sa për kundërshtinë ndaj projektit të xhamisë prapa Pallatit të Kulturës, u nxorr pretendimi nga KMSH se aty ka pronarë të tjerë. Në funksion të një informacioni më të plotë rreth kësaj çështjeje, po ju sjell një paragraf nga “Kurban-i” Ramës, posaçërisht mbi këtë çështje: “Titujt e pronësisë mbi atë truall ku parashihet xhamia vërtet s`janë të Komunitetit Musliman, po komuniteti ka pronat e veta në hapësirën e tokës pas Pallatit të Kulturës dhe dokumenti i zhvillimit të planit jo vetëm e lejon, por e sugjeron këmbimin e pronësisë për harmonizimin e interest publik-privat, gjë që aty i jep mundësinë komunitetit të ndërtojë xhaminë sipas parashikimit dhe pronarëve të zhvillojnë pronën pak më andej ku plani parashikon ndërtime tregtare. Situatë ideale me përfitim reciprok, mjaft që qeveria të japë kontributin e saj, mirëpo kujt t`i flasësh, qeveria u turr të prishte jo vetëm proçesin e ngritur me shumë mund tanimë pranë zgjidhjes, falë dhe ndihmës së qeverisë kuvajtjane që dha paratë e konkursit, po dhe krejt planin, duke bërë më ngut ca vendime të paligjshme që I hapin rrugë ndërtimit të xhamisë te Nahmazgjaja duke nxitur kësisoj mosdakortësinë mes Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Mysliman, i cili, i trysur fort nga presioni i qeverisë dhe i frikur e fikur më shumë se njëherë prej premtimeve të rrejshme qeveritare për xhaminë, mbeti peng i sherrit të shpikur nga Saliu.…….”
Nuk e di sa qëndron ky argument, por nga një bisedë konfidenciale që pata ditë më parë me një drejtues të lartë të KMSH-së, pikërisht për xhaminë, mu tha se vërtet, çështja e zgjidhjes së pronësisë në truallin prapa Pallatit të Kulturës, ishte shkaku i anullimit të atij projekti, si dhe disa mosdakortësi mbi stilin arkitektonik, por duhet thënë se aspekti ekstra-profesional i zgjidhjeve arkitekturore nuk është çështje shijesh e gustosh të kujtdo. Sipas ish-administratorit të Bashkisë, Dritan Agollit, i cili po ma zbërthente një ditë këtë meselenë e formës arktekturore, ajo çfarë është paraqitur në maket, nuk është përfundimtari, por thjesht një ide-start, e cila më pas, pasurohej e rregullohej rrugës, duke mbledhur sugjerime e kritika.
Por t`i kthehemi çështjes së truallit. Zyrtari i KMSH-së më tha se do ishte fort e sikletshme që të merreshin me 81 pronarë në truallin e Pallatit të Kulturës, ndërkohë që te Namazgjaja ishin marrë vesh me të vetmin pronar, që për koiçidencë ishte dhe besimtar i rregullt në adete fetare. Por, halli ishte se ky pronar, i kishte i kërkuar KMSH-së një çmim për pronën, në një shifër që i kishte trullosur keqaz, e që unë nuk preferoj ta bëj të ditur, duke thënë thjesht se më ka trullosur dhe mua. Sa për argumentat që i ofrova zyrtarit, që, gjykuar ftohtë në çdo aspekt, një xhami te Namazgjaja është tërësisht nonsens, ai mu përgjigj se kisha plotësisht të drejtë, por që sipas tij, niveli i përgjithshëm i muslimanëve nuk i përgjigjej një t
ë tillë gjykimi të akullt, e ndaj, siç më la të kuptuar, me sens e pa sens, me logjikë e pa logjikë, ajo xhami duhej ndërtuar, e ajo ç`ka unë kuptova, ishte se lidershipi i ri i KMSH-së, e do me çdo çmim atë xhami, jo aq për nevojat e besimtarëve, sesa për një medaljon prestigji ndër besimtarë, përballë sfidave e përplasjeve të pritshme në promovimin e një frymë që pritet ta hap vatra të nxehta debatesh e mospajtimesh.
Meqë i qëndroj parimit që kur kundërshtoj diçka, ta shoqëroj (o)pozicionin tim dhe me një propozim, jam i idesë që zgjidhja më efikase, jashtë çdo ndikimi emotiv e mbi të gjitha pa bazë fetare, duke rrekur ta ndërtojmë xhamine e re me tulla e gurrë hatërmbetjesh, karshillëqesh e kompleksesh inferioriteti, do ishte ajo e planifikimit të saj në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës, poshtë stacionit të trenit, ku nesër do jetë qendra e re centrifugale e kryeqytetit. Ndërkohë që, “xhamia e re dhe e madhe” në qendër, të konvertohet mbi dy apo tre te vogla në disa lagje të Tiranës, si në Tiranën e re e në Laprakë. Gjithashtu, duhet bërë me dije se, Ministria e Kulturës e Saudisë, prej afro 10 vitesh, ka ndarë një fond gjigand për ndërtimin e një kompleksi islam madhështor në Tiranë, duke kërkuar një hapësirë nga 15 deri në 20 mijë metra katrorë, e që askush nuk i përgjigjet. Ndërsa hapësira te Namazgjaja, – gjithnjë, pa llogaritur zhdukjen e një vlerë monumentale të trashëgimisë fetare -, është disafish më e vogël. Më tej akoma, për Namazgjanë mund të ish menduar për një projekt që ia shtonte dhe më tepër identitetin e saj fetar, duke ndërtuar aty një mbimber e njëherësh, duke e pasuruar hapësirën me një “arkitektoni flore” me elementë islamë.
E doja të shtoja se, çështjen e “xhamisë” nuk duhet ta shohim në një qasje xhelozie apo komplotiste, aq e përhapur si mendësi ndër muslimanë. Ndërtimi i një xhamie të Namazgjaja është një “gabim pa kushte e rrethana” të jashtme, siç mund të jetë ajo e ndërtimit të një kishe gjetkë mbi një hapësirë publike, e cila dhe ajo, ka patur kundërshtarët e vet në media, ku Lubonja ka qenë një prej tyre, ndërkohë që jo në media, ka provokuar përplasje të forta në skakierat e politikës se majtë.
P.S: Në fund të këtij shkrimi, doja të sqaroja dhe diçka: afshet për xhaminë e debatet mbi të, po na marrin energji, që fort mirë mund t`i kishim shpenzuar me nikoqirllëk fetar për çështje më ulëritëse, siç është “ndërtimi xhamive në zemra”. Sepse, edhe referuar traditës profetike, në gjithë epokën medinasë të skalitjes së shpirtit ngadhnjyes islam, “xhamia” zë vetëm një fjali; dhe ajo në formë mjaft telegrafike: ”….Profeti, ndërtoi një xhami……”, ndërsa çdo gjë tjetër flet për atë se si u ndërtua njeriu brenda asaj xhamie!/e-zani i nalte
Ermir Hoxha