Inspektori pejan Vebi Lipa: si më largoi komuna nga puna pasi luftova ndërtimet ilegale

Inspektori i ndërtimit, Vebi Lipa thotë se është larguar nga puna për shkak se ka luftuar ndërtimet pa leje në këtë komunë.

Sipas tij, ai është larguar, duke mos iu vazhduar kontrata për shkak të marrjes së masave ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomik dhe sipas tij ai ia ka prishur interesat kompanive që i kanë pasur me zyrtarët e Komunës së Pejës.

Ai thotë se ka qenë i punësuar në Komunën e Pejës prej datës 17.07.2014, në vendin e punës zyrtar i projekteve për investime kapitale në kuadër të zyrës të kryetarit të Pejës, i pranuar në punë në bazë të konkursit të datës 31.05.2014, ndërsa më vonë është punësuar si inspektor i ndërtimit.

Vebi Lipa thotë se deri në momentin e largimit nuk ka marrë asnjë vërejtje më shkrim dhe se nuk ka qenë kurrë në komisionin disiplinor. Thotë se kontrata i ka skaduar edhe tri herë tjera, por që ia kanë vazhduar, ndërsa tani nuk ia kanë vazhduar për shkak se thotë se nuk ka lënë që të bëhen ndërtime ilegale dhe të prishet plani urbanistik.

“Sikur unë kanë qenë edhe gjashtë kolegë kur jemi pranuar me 2014. Të gjithë ata punojnë përveç meje. Mirëpo problemi pse nuk më është vazhduar kontrata është fakti se kam punuar në kundërshtim me interesat e tyre në luftimin e ndërtimeve pa leje. Sikur të isha i dëgjueshëm do të isha edhe unë në punë si kolegët e mi”, thotë ai.

Lipa thotë se me largim e tij nga puna i është shkelur e drejta për punë, e garantuar me Kushtetutën e Republikës të Kosovës, Konventën Ndërkombëtare të Punës dhe Ligjin mbi Shërbimin Civil të Kosovës dhe se përmes një largimi të tillë i është mohuar e drejta për ankesë.

“Jam larguar nga puna pa vendim për largim, pa vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës gjashtë ditë pas skadimit të kontratës. Më është mohuar e drejta e pushimit vjetor meqë me shkrim ja kam kërkuar drejtoritë Demë Dashi, por kam marrë përgjigje negative. Arsyetimi për largim ka qenë se unë jam katundar dhe nuk më nevojiten njerëz që kanë përgatitjen e lartë.

Në vendin e punës ka ngelur kolegu im në nivelin bachelor, kurse unë jam për një shkallë me lartë, niveli master ne 300 kredi”, thotë Lipa.

Ai thotë se si inspektor i ndërtimit ka punuar me përkushtimin të madh duke menduar se do t’i ndihmojë qytetit të Pejës që të bëhen ndërtime në bazë të planit urbanistik. Ai thotë se për punën e tij ka marrë lëvdata nga zyrtarët e USAID-it pasi që ka bërë mirë implementimin e ligjeve të ndërtimit që janë në fuqi.

“Arma e vetme e imja ka qenë marrja e masave ndëshkuese me gjoba nga Gjykata Themelore në Pejë-Divizioni i Kundërvajtjes, ku investitorët janë ndëshkuar deri në 30.000 euro si dhe me kallëzime penale. Masat e ndërmarra nga unë si inspektor kanë qenë në kundërshtim me eprorët e mi më të lartë, të cilët më kanë penguar në kryerjen e detyrës zyrtare. Provat për pengim në detyrë zyrtare nga personat zyrtarë janë argumentuar me shkrim në rastet kur drejtori Demë Dashi nuk më ka lejuar t’i dërgoj në Gjykatë shumë palë ku në rastet e tilla i kam dëshmitarë dy ish-kolegët e mi që janë inspektorë të ndërtimit”, thotë Lipa.

Ai thotë se me largimin e tij nga puna, kanë lulëzuar ndërtimet pa leje ku 90 për qind e ndërtesave për banim kolektiv i kanë tejkaluar etazhitetet për një ose dy etazha si dhe zgjerimet e gabariteve përkundër lejeve ndërtimore.

“Këto shkelje u vërejtën edhe nga Prokuroria Komunale e Pejës në bashkëpunim me Krimet Ekonomike në Pejë, me fakte të mjaftueshme arritën që me masa ndëshkuese ta nxjerrin nga vendi i punës me duar të lidhura ish-drejtorin tim Demë Dashi”, thotë Lipa.

“Kryetari më premtoi se do të ma gjejë një punë tjetër”

Ai thotë se deri më tani nga Kuvendi Komunal në Pejë nuk ka marrë kurrfarë shkrese për ndërprerje të marrëdhënies të punës. Ai thotë se ka bërë ankesë, por nuk ka marrë përgjigje nga Komisioni për Ankesa dhe parashtresa i Komunës së Pejës.

“Kryetari i Komunës Gazmend Muhaxheri më ka premtuar sistemim në ndonjë vend tjetër pune, por kjo bëri që unë t’i humbi afatet e ankesës në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës si dhe nuk mora asnjëherë përgjigje nga Komisioni për zgjidhjen e kontesteve pranë Kuvendit Komunal në Pejë lidhur me largimin tim nga puna”, thotë ai.

Për të gjitha shkeljet që pretendon se i janë bërë, me datën 19.01.2017 ka bërë një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Kuvendit Komunal dhe kërkon që të kthehet në vendin e punës.

Tesheshi.com me datë 22 mars ka dërguar pyetje tek zyrtarët për informim të Komunës së Pejës për të marrë përgjigje për këtë çështje, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje. /tesheshi.

Artikulli paraprakDeputetët paguhen sa pesë paga mesatare
Artikulli vijuesPse Kavaja përbën provën e parë të krizës politike në Shqipëri