Ndonëse paralajmëruan protestë për të mërkurën e javës së kaluar, ajo nuk u mbajt. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi thotë për KosovaPress, se e ka pas të vështirë të bindë bashkëluftëtarët e tij që të shtyjnë edhe për disa ditë protestën.
Ai thotë t’i këtë dërguar të martën e javës së kaluar, kërkesë për takim kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetarit të Komisionit për Verifikimin e Listave të Veteranëve, Agim Çekut, por asnjëri nuk i është përgjigjur.
Qeriqi thotë se ka kërkuar takim vetëm që t’i sqarojnë përse po bëhet një zvarritje e tillë e publikimit të listave. E për protestën, thotë se është vendim i prerë që të mbahet këtë të hënë.
“Ka qenë një revoltë e madhe dhe veteranët e luftës kanë kërkuan një afat prej një jave që të publikohen mirëpo unë bashkë me kryesinë e këshillin, e kemi menduar më të rrugës që të iu bëjmë një kërkesë institucioneve, që të takohemi dhe ta sqarojmë përse po bëhen këto vonesa. Para një jave i kam dërguar dy kërkesa në adresë të institucioneve, një kryeministrit zoti Mustafa dhe një për kryetarin e komisionit zotin Agim Çeku, por për fat të keq nuk kemi marrë përgjigje. Megjithëse ata kanë thënë që ne nuk po duam të takohemi me ta, kështu që pasi që kam biseduar me kryesinë e këshillit, ne kemi marrë vendim që më datën 30, do të thotë dita e hënë, në orën 12 të protestojmë. Protesta do të fillojë prej sheshit ‘Zahir Pajaziti’ drejtë Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Qeriqi thotë se është e pamundur të kontrollohen gjithë ata veteranë, që siç thotë ai, iu kanë bërë padrejtësi të mëdha. Andaj, thotë se nuk mbanë përgjegjësi për rrjedhën e protestës. Sipas tij, përgjegjësi bartet tek Qeveria e Kosovës.
KosovaPress ka provuar të kontaktojë përfaqësues të Komisionit për Verifikimin e Listave të Veteranëve, por nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga ta. /Telegrafi/