ISH USHTARI RUS QË E KONSIDERON VETEN AFGAN KRENAR

Nur Mohamad është një mijëra ushtarëve sovjetik që dërguan në vijën e frontit në Afganistan. Sot, Nur Mohamad është një musliman dhe ka për grua një afgane, me të cilën ka gjashtë fëmijë. Ai e gjeti shtëpinë e tij në mesin e muxhahedinëve. Dhe asnjëherë ai nuk do të dëshironte të kthehet në Rusi.

Në të vërtetë, asokohe ai vetëm dëshironte t’i shërbente vendit të tij, dhe të fitonte pak para. Por, për Nur Mohamad gjërat u zhvilluan krejt ndryshe. Është i lindur në Kurgan, në jugperëndim të Siberisë, si Sergej Jurjevich Krasnoperov. Sot jeton në krahinën Ghor, në perëndim të Afganistanit.
“Asokohe, në Afganistan erdha për të luftuar, për t’i shërbyer vendit tim si ushtar. Nuk e dija se qeveria ime këtu po vriste njerëz, dhe se kjo do të ishte edhe detyrë e imja”, tregon ai në gjuhën persishte.
“Ose do të vrasësh ti, ose do të të vrasin. Kështu është kur të jesh ushtar”.
Atëherë, në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, ishin kohë tjera. Nur Muhamed, i cili edhe sot ruan një zë krenar kur flet për atë periudhë, tregon se Bashkimi Sovjetik asokohe ishte një fuqi botërore. Në vitin 1979, ushtria sovjetike marshoi në Afganistan, për të shuar kryengritjen kundër qeverisë afgane prokomuniste. Lufta që pasoi iu kushtoi me jetë një milion e gjysmë afganëve dhe 15,000 ushtarëve rusë. Pak më pak se dhjetë vjet më vonë, ushtarët e fundit rusë u tërhoqën drejt Uzbekistanit fqinj.
 
E pranuan muxhahedinët
Gjatë luftës mijëra ushtarë rusë humbën besimin në kuptimin e invadimit rus, dhe dezertuan. Dhe, jo vetëm kaq. Njësoj sikurse Nur Mohamad, disa qindra ushtarë kaluan në anën e muxhahedinëve, u konvertuan në islam, dhe nisën luftën kundër agresorëve “të pafe”.
Nur Mohamad tregon se shumë shpejt pas invadimit e kishte kuptuar që lufta atje ishte e humbur. Dezerto, dhe kaloi në anën kundërshtare – atë të muxhahedinëve.
“Më pranuan, dhe u bëra pjesë e lëvizjes së tyre – e xhihadit (luftës së shenjtë) kundër të pafeve”, kujton ai.
Nur Mohamad nuk ishte i obliguar që të luftonte në fushëbeteja, sepse edhe ashtu në radhët e muxhahedinëve kishte mjaft punë për të. Ai, para së gjithash, ishte përgjegjës për furnizimin e kryengritëseve.
“Dikush kishte për detyrë të rregullonte ndonjë cisternë, e dikush tjetër që ta mbushte atë. Unë duhesha të ngarkoja municionin, ose të kujdesesha për furnizimet. Edhe kjo ishte pjesë e luftës”, tregon ai për Deutsche Welle.
Që nga ajo kohë Nur Mohamad filloi një jetë të re, e cila ndryshonte shumë nga ajo që e kishte njohur në atdheun e tij, në jugperëndim të Siberisë.
“Më parë nuk isha fare religjioz. Përveç një shishe vodkë dhe një vajze nën sqetull asgjë nuk kishte rëndësi për mua. Prindërit e mi ishin të krishterë. Por, mua më interesonin gjëra të tjera. Isha i ri atëherë”, kujton ai pas pyetjes nga gazetari.
 
Nuk përmallet për Rusinë
Sot, Nur Mohamad ka për grua një afgane, me të cilën ka gjashtë fëmijë. Muxhahedinët u përkujdesën që ai të martohej shpejt, në mënyrë që të lidhej më fuqishëm me atdheun e tij të ri. Fëmijët i shkojnë në shkollë, dhe për nga dukja e jashtme nuk dallojnë fare nga fëmijët e tjerë. Përveçqë njëra vajzë e nget motorin, fëmijët e tjerë pothuajse nuk kanë asnjë karakteristikë tjetër ruse, thotë Nur Mohamad.
Përndryshe, ikja e Nur Mohamad nga radhët e ushtrisë ruse nuk i solli atij ndonjë përfitim të madh ekonomik. Ai posedon një punëtori, nga e cila në muaj fiton afro 5,000 afgani (që i bie 75 euro). Me ko para familja mezi ia del të kalojë muajin. Por, kthimin në Rusi as që e merr në konsideratë.
“Ambasada e Rusisë më ka vizituar njëherë, dhe ka shprehur dëshirën që mua dhe familjen të na kthejë prapa në Rusi. Mirëpo, ne refuzuam”, tregon ai.
Madje, diku në vitet e 90’a, në Afganistan erdhi edhe nëna e tij. Donte ta bindte që të kthehej në Rusi. Por, ai atje nuk shihte kurrfarë perspektive. “Rusia më nuk është superfuqi si dikur. Njerëzit atje janë të papunë, dhe të uritur”. Kështu mendon Nur Mohamad sot për atdheun e tij të dikurshëm.
“Tashmë jam mësuar me tokën dhe me njerëzit e këtushëm. Veç kësaj, familja ime do të kishte shumë probleme në atdheun e vjetër”, mendon Nur Mohamad.
“Për më tepër, edhe vetë talibanët tani më pranojnë e më respektojnë, të tillë çfare jam”, shton ai.
Duket se ish-Sergej Jurjevich Krasnoperov, e ka thyer mendjen definitivisht: “Kam pasaportë afgane, dhe jam shumë krenar që jam afgan”.
DW
Artikulli paraprakLDK do të thërras në interpelancë Thaçin
Artikulli vijuesVizione për ekonominë siriane