Italia shkon në zgjedhje, parashikohet një periudhë destabiliteti

Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës shkon drejt zgjedhje, pasi presidenti Sergio Mattarella shkriu të enjten parlamentin. Analistët parashikojnë një periudhë destabiliteti në Itali, pasi shifrat që dalin nga sondazhet nuk janë të qarta.

Kryeministri Gentiloni nga ana e tij, tha se Italia duhet të përgatitet për përballjen me destabilitet, por nuk duhet të ketë frikë nga kjo dhe nënvizoi se situata të tilla tashmë janë të zakonshme në shumë vende evropiane.

“Nuk duhet ta dramatizojmë rrezikun e destabilitetit, ne jemi thuajse të mësuar me të”, tha ai, duke iu referuar ndryshimeve të shpeshta në qeverisjen e vendit, e duke shtuar se në vende të tjera evropiane ka pasur një italianizim të sistemeve politike.

Për momentin, lëvizja “5 Yjet” kryeson sondazhet, me 28 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Paolo Gentilonit me rreth 23 për qind. Por, duket se pjesa më e madhe e vendeve në parlament, pritet t’i shkojnë një Aleance Konservatore të krijuar nga Forca Italia e Silvio Berluskonit, me rreth 16 për qind, Lega Nord e krahut të djathtë dhe vëllezërve të Italisë me respektivisht 13 dhe 5 për qind.

Artikulli paraprakZaevit fillon ti tkurret koalicioni
Artikulli vijuesZgjidhja e diabetit gjendet tek ky ushqim