Izraeli kërcënon me ndërhyrje në terren

Zyrtarët izraelitë thanë se u kemi dhënë afat ndërmjetësuesve egjiptianë deri ditën e martë për të arritur një marrëveshje me Hamasin, në të kundërten  operacioni në terren është i pashmangshëm.

Konflikti nisi të mërkurën e kaluar kur një sulm ajror izraelit vrau komandantin e krahut të armatosur të Hamasit të cilin e akuzon si përgjegjësi kryesor i sulmeve me raketa në drejtim të Izraelit në 10 vitet e fundit.

Kundërpërgjigja e Hamasit ishte lëshimi i qindra raketave drejt vendbanimeve izraelite, ndërsa këta të fundit bombarduan me avionë objektiva në qytetin e Gazas duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 110 palestinezëve, mes tyre edhe fëmijë.

Qeveria izraelite u mblodh në orët e vona të së hënës për të diskutuar pikat e propozimit për paqe të ndërmjetësuesve egjiptianë. Një zëdhënës tha se kryeministri Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Obama “ku shpreh dëshirën që bisedimet të kenë sukses, përndryshe ndërhyrja tokësore në Gaza, e ngjashme me atë të 2008-2009, është e pashmangshme”.

Në përpjekje për të ulur tensionet mes dy palëve, të enjten do të vizitojë rajonin edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Clinton pritet të takohet me zyrtarët izraelitë dhe përfaqëesues të ndërmjetësuesve egjiptianë. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakShqiptari, në Panairin e Shpikjeve
Artikulli vijuesHolanda: Jo status Shqipërisë