Shqiptari, në Panairin e Shpikjeve

Ky është Panairi botëror i Shpikjeve. Në Innova Brussels, çdo vit me qindra pjesëmarrës nga vende të ndryshme paraqesin shpikje, studime e teknologji të reja, që vizitohen nga përfaqësues të biznesit, por dhe të rajoneve e shteteve të ndryshme, të interesuara për të investuar në këtë fushë.

Shpikja shqiptare për 2012 u prezantua nga Vullnet Miraka, me pajisjen për gjenerimin e gravitetit artificial për lëngjet, me emrin e autorit “Mirakatec”.
Vullnet Miraka, Qendra Shqiptare për Shpikjet dhe Studimet në Energji: “Të marrim për shembull ujin. Me vendosjen e pajisjes në një nivel të caktuar, uji udhëton natyralisht nga niveli zero deri në nivelin e kërkuar, pa patur nevojë për pompim dhe energjia që ne shpenzojmë për gjenerimin e gravitetit është vetëm 10% e asaj që nevojitet për pompën e ujit.”
Andrew Cowell, vizitor: “Ne ndajmë të njëjtin interes dhe më tërhoqi vëmendjen, sepse ishte në fushën e fizikës, ku unë kam njohuri, por më shumë eksperiencë kam për zgjidhjet e mekanikës”.
Vullnet Miraka: “Të 13 anëtarët e jurisë, që i përkasin kësaj fushe, të gjithë janë sqaruar, kanë bërë llogaritjet dhe kanë deklaruar funksionalitetin e plotë të saj”.
Kjo shpikje vlerësohet se ul kostot në sektorët e bujqësisë, metalurgjisë, industrisë kimike, atë për ujin e pijshëm, si dhe për shërbimin zjarrfikës.
Autori shpjegon se një pajisje e tillë, nëse do të vendosej në hidrocentralet egzistuese të Shqipërisë, do të garantonte energji elektrike pa ndërprerje përgjatë gjithë vitit.
Vullnet Miraka: “Niveli i liqenit, gjatë periudhave të ndryshme të vitit, lëviz poshtë ose lart, për shkak të shirave. Duke instaluar pajisjen tonë, që ka funksion të dyfishtë, ujin e marrim pasi ka kaluar në turbinë dhe e rikthejmë në liqen, duke bërë që niveli maksimal në liqen të jetë i garantuar përgjatë gjithë vitit. Kjo bën që, minimalisht në të gjitha hidrocentralet egzistuese të rritet prodhimi 40%, e garantuar përgjatë gjithë vitit, dhe ka prodhim konstant e jo oval”.
Në konkursin e 2009-tës, Miraka u vlerësua me medalje bronzi vetëm për konceptin. Kësaj radhe, shpikësi shqiptar arriti të kalojë me peripeci përmes Italisë e Zvicrës, deri në Belgjikë 1.2 ton ngarkesë.
Vullnet Miraka: “Duke filluar me ndërtimin e pajisjeve në mënyrë manuale dhe me gjithë kthimin mbrapa, kushtoi më shumë se 24 mijë euro. Fatkeqsisht apo fatmirësisht, sido që mund ta quajë kushdo, kemi ardhur me fuqitë tona, me xhepat tanë”.
I vlerësuar me çmimin e Artë nga shfaqja ndërkombëtare e Varshavës për shpikjen, puna e Vullnet Mirakës u nderua me çmim simbolik edhe në konkursin “Eureka 2012” të Innova Brussels. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakSan Francisco vend i felliqesirave tenton t'i thotë “stop” nudizmit
Artikulli vijuesIzraeli kërcënon me ndërhyrje në terren