Katër vite pas aksionit policor “Monstra”, familjarët e të akuzuarve vazhdojnë t’i kenë të freskëta pamjet tmerruese të këtij aksioni. Familjet e përfshira në këtë aksion, rrëfejnë për televizionin Shenja, tmerrin që kanë përjetuar sot e katër vite më parë.
Ata thonë që një maji do të mbetet dita që do ju sjellë kujtimet më të frikshme që ata kanë përjetuar ndonjë herë. Lot, dhimbje, dhe një vetëm një fije shprese që drejtësia do të lulëzojë ndonjë ditë, janë bashkëudhëtarët e tyre tanimë katër vite. Ata për të disatën herë, thonë se ky rast është i montuar dhe se bijtë dhe vëllezërit e tyre që tanimë ndodhen nëpër burgje, janë persona të pafajshëm.
Babai i Halil Demirit, rrëfen disa nga skenat që ai ka parë gjatë mëngjesit të atij një maji,duke vënë theks të veçantë tek trajtimi që u është bërë atyre, e posaqërisht grave të kësaj familjeje.
“Për asgjë ma kanë marrë djalin, rejen, vajzën, ja këtë djalë, krejt na i kanë arrestu. Unë u zgjova të marr abdes, kur trokiti dera, thash çka u bë, “otvori vrata”, kur e hapa derën automati në gjoks, nuk më tha ‘racete gore’, po ‘ruku u viz’, e kish vëndu nnjë çorap në kokë. Edhe më nuk na kan bo mall hiç, çka është më keq në botë na e kan bë, se disha se për çka. Këto partitë tona, nuk u interesuan për neve hiç, me ardh bile me thënë, a je gjallë, këto nuk u interesuan aspak”, deklaroi, Jonuz Demiri, Babai i Halil Demirit.
Ndërkaq, familjari tjetër, rrëfen gjithashtu frikën dhe traumen që u është shkaktuar atyre gjatë këtij aksioni. Ai tha se ndjehen të lënë pas dore nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, duke shtuar se drejtësia në vend është në nivelin më të ulët të mundshëm, pasi sipas tij, funksionarët politik të cilët akuzohen nga Prokuroria special falen nga presidenti i shtetit, ndërkaq nëpër burgje flejnë persona tërëisht të pafajshëm.