Ndarja e fesë dhe shtetit

0
439

Ndarja e fesë dhe shtetit

Ndarja e kishës dhe shtetit me të madhe është e pranuar në Perëndim dhe kështu është bërë një mendim global politik. Historikisht kjo ide është paraqitur si një strategji praktike për t’u marrë me çështjet që kanë të bëjnë me krishterët dhe popujt tjerë në kulturën Perëndimore.

Megjithatë, gradualisht, ndarja e kishës dhe shtetit është bërë një premisë e famshme për të gjitha shtetet moderne. Tani shihet se shtetësia, në vend të fesë, duhet të jetë bazë e përkatësisë së shtetit, pasi që shtetas të ndryshëm mund të kenë fe të ndryshme. Nëse shteti përcaktohet për një fe, anëtarët e feve të tjera do të ndjehen të ofenduar (armiqësuar) pasi që do t’u imponoheshe një fe e huaj. Ata mund të ndalohen për t’i praktikuar ritualet e fesë së tyre dhe ndoshta do të mund të ndalohen për të mbajtur ndonjë pozitë të caktuar në pushtet, siç është kryetari, ose pozitat tjera të rëndësishme. Kjo do të krijonte turbullira dhe konflikte që do të paraqisnin pengesa për përparimin e shtetit.

Për këto shkaqe, përkrahësit e kësaj politike të ndarjes, thonë se është më së miri nëse një shtet merr një qasje sekulare, duke mos përkrahur, e as mos refuzuar ndonjë fe. Varet nga qytetarët të pasojnë cilëndo fe dhe vlera që ata i zgjedhin dhe të praktikojnë cilatdo rituale që duan.

Kjo është ana ideale e një shteti neutral sekular që politikanët Perëndimorë dëshirojnë të projektojnë.

Megjithatë, teoria e ndarjes së shtetit dhe fesë bën disa supozime themelore të cilat vështirë është t’ju kalosh pranë në botën reale. T’i shqyrtojmë disa prej tyre.

Supozohet se është e mundshme për një shtet sekular të bëjë një qëndrim neutral ndaj të gjitha feve, duke u bazuar në pasojën logjike me të cilën ballafaqohet, ndoshta shqetëson çështjet e shtetit. Kjo mund të jetë rast nëse në fakt nuk kishte asnjë lidhje ndërmjet çështjeve të shtetit dhe fesë, dhe se këto të dyja ishin tërësi të ndara. Mirëpo, fetë nuk merren vetëm me koleksione të besimeve, ritualeve dhe sjelljeve individuale që nuk ndikojnë në shoqëri. Pjesa më e madhe e feve të njohura, Judaizmi, Krishterimi dhe Islami, kanë ligje që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve; qoftë në baza individuale, brenda familjes, ose në shoqërinë më të gjerë, në krahasim me ligjet tjera rreth ushqimit dhe pijeve, dhe shumë detaje të tjera ditore të cilat nuk mund të ndahen nga punët e shtetit.

Për t’u akomoduar rreth kësaj, politikanët Perëndimorë duhej të bëjnë një kompromis. Ata vendosën të përfshijnë disa vlera nga feja e tyre – krishterimi – në formimin e ligjeve të shtetit. Dhe, vlerat krishtere janë të qarta në politikën e jashtme Perëndimore, në veçanti në marrëdhëniet e saj me botën Islame. Në të njëjtën kohë, disa aspekte të rëndësishme të fesë krishtere janë të lëna anash. Lëvizjet e paradokohshme liberale kanë sulmuar Librin e Shenjtë të krishterimit, duke pohuar se ajo që çdoherë është besuar të jetë fjalë e Zotit, është asgjë më tepër se shkrimet e njerëzve që kishin qenë nën ndikim të fuqishëm nga kultura në të cilën kishin jetuar. Ky këndvështrim ishte përkrahur nga ekzistimi i shumë versioneve të ndryshme të Biblës me shumë diskrepanca (mospërputhje) ndërmjet tyre. Kështu, restrikcionet e caktuara që janë bërë nëpër skripte, siç është sjellja seksuale, duhet të shihen si ligje të shoqërisë në një kohë të caktuar, në mënyrë që mos të ketë ndonjë shkak të pasohen ato rregulla të asaj kohe në ditët e sotme. Kjo lëvizje ka hasur në përkrahje nga politikanët, udhëheqësit dhe madje edhe dijetarët e feve.

Rezultati është se sekularizmi ka marrë një jetë në vete dhe nuk është më një këndvështrim neutral ose i paanshëm. Ajo mund të shihet si një fe në vete, që, në Perëndim, ka pasuesit e saj entuziastë, të cilët e sulmojnë dhe e luftojnë krishterimin.

Pra, si duhet t’i qasen myslimanët trendit modern të ndarjes së fesë dhe shtetit në shtetet e tyre? Besimi themelor në Islam është se Kurani është 100 për qind fjalë e Zotit, dhe se Sunneti ishte poashtu rezultat i udhëzimit të Muhammedi, alejhis-selam, nga ana e Zotit. Islami nuk mund të ndahet nga shteti për shkak se ai i udhëzon myslimanët nëpërmjet çdo detaji të udhëheqjes së shtetit dhe jetës së tyre. Myslimanët nuk kanë zgjidhje tjetër përveç refuzimit të sekularizmit për shkak se ajo i përjashton ligjet e Zotit.

Përkrahësit e shtetit sekular argumentojnë se vlerat e një feje nuk mund t’ju imponohen pjesëtarëve të feve tjera që janë prezentë në shtetet tona. Mirëpo, qoftë i madh apo i vogël numri i jo-myslimanëve në një shtet, sekularizmi nuk është përgjigja (zgjidhja). Jo-muslimanët në shtetet myslimane ose do të jenë sekularistë në vete, në favor të refuzimit të ligjeve të Islamit në shtet, ose do të jenë pasues të devotshëm të fesë së tyre, të cilët dëshirojnë që shteti t’i pasojë rregullat e asaj feje. Pra, në të dyja rastet, nuk mund të bëhet ndonjë kompromis në përputhje me këndvështrimin Islam.

Ajo që duhet të theksohet është se nën ligjin e Islamit, fetë tjera nuk janë të ndaluara. Në të njëjtën kohë, njerëzve u ofrohen doktrina për legjislacionin dhe udhëheqjen e shtetit që do t’i mbronin njerëzit e të gjitha feve që jetojnë në (atë) shtet.

Sekularistët në Perëndim do të pajtohen me këtë, pastaj do të theksojnë se nën ligjin Islam, njerëzit nuk janë të barabartë. Për shembull, asnjë jo-musliman nuk mund të bëhet kryetar. Në përgjigje ndaj atij fakti, as sekularizmi nuk është më ndryshe. Asnjë mysliman nuk mund të bëhet kryetar i një regjimi sekular, sepse për t’u betuar për lojalitet ndaj kushtetutës, një mysliman duhet të hedh poshtë pjesë të besimit të tij, dhe të përqafojë besimin e sekularizmit – që praktikisht është një fe tjetër. Për myslimanët, fjala “fe” nuk i referohet vetëm një koleksioni të besimeve dhe ritualeve, por ajo iu referohet një mënyre të jetës që përfshin të gjitha vlerat, sjelljet dhe detajet e jetesës.

Sekularizmi nuk mund të jetë zgjidhje për shtetet me shumicë myslimane, për shkak se ajo kërkon që njerëzit të zëvendësojnë besimet e dhëna nga Zoti, me një komplet tërësisht të ndryshëm të besimeve të bëra nga njeriu. Ndarja e fesë dhe shtetit nuk është opsion për myslimanët për shkak se ajo kërkon që ne t’i refuzojmë dekretet e Zotit për ato të njeriut.

Dr. Xha’fer Shejh Idris

Përktheu: Xh.A.

Dr. Xha’fer Shejh Idris,
1.4.2005