Ja pse imam Buhari ishte i madh në Hadith

Hafiz Ahmed ibn Adi thotë: “Kur banorët e Bagdadit kishin marrë vesh se Imam Buhariu do të shkonte atje, muhadithinët e Bagdadit vendosën ta testonin atë duke ndryshuar tekstin dhe zinxhirët e transmetimit të njëqind haditheve. Ata bashkuan zinxhirin e një hadithi me tekstin e një tjetri dhe zinxhirin e këtij hadithi e lidhën me tekstin e hadithit tjetër.

Në këtë mënyrë ata ngatërruan tekstet me zinxhirët e transmetimit të një qind haditheve dhe ua dhanë njerëzve, të cilët do t’ia thoshin Imam Buhariut.

Kur Imam Buhariu mbërriti në Bagdad , njerëzit u grumbulluan për nder të tij, ku ishin të pranishëm pjesa më e madhe e ulemave, fisnikëve dhe popullit. Një person u ngrit, sipas planit, dhe bëri një pyetje në lidhje me hadithin të cilit i kishin ndryshuar zinxhirin e transmetimit. Pas kësaj u ngrit një tjetër dhe tha të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë ata i thanë njëqind hadithet dhe pritën përgjigjen e Imam Buhariut. Ai tha se nuk i kishte kuptuar ato hadithe.

Kur pa se kishin mbaruar pyetjet, u ngrit dhe përshkroi zinxhirin e transmetimit të hadithit të parë të thënë dhe dha zinxhirin e saktë. Në këtë mënyrë ai dha zinxhirin e saktë të transmetimit për njëqind hadithet. Kur ai mbaroi, gjithë publiku e lavdëroi dhe pranoi epërsinë dhe madhështinë e Imam Buhariut.

Hafiz Abul-Azar tregon: “Njëherë në Samarkand u mblodhën katërqind muhadithin për të testuar Buhariun, ata e bënë këtë duke përzier transmetimet e Irakut me atë të Sirisë dhe anasjelltas. Në mënyrë të ngjashme ata përzien transmetimet e Haram-it (Mekës) me të Jemenit dhe anasjelltas. Ata ia bënë këtë Imam Buhariut për shtatë ditë, por nuk arritën ta ngatërronin as një herë të vetme. Ai kishte dije të plotë për shkencën e Hadithit. Në atë periudhë asnjë nuk kishte njohuri më të mira për mënyrat e ndryshme të transmetimit, se sa Imam Buhariu”.

Jusuf ibn Musa Maruzi thotë: “Isha ulur në xhaminë kryesore të Basras kur dëgjova një zë: ‘O kërkues i dijes, Imam Muhamed ibn Ismaili ka ardhur. Ai që do të marrë hadithe prej tij, duhet të shkojë tek ai”. Maruzi tha: “Pashë një burrë të dobët pranë një shtylle, i cili po falej me përulje dhe nënshtrim të madh dhe ai ishte Imam Buhariu. Sapo u bë njoftimi, njerëzit kureshtarë nga të gjitha drejtimet nisën të mblidheshin rreth tij.

(Shkëputje nga Jeta dhe vepra e Imam Buhariut)

Artikulli paraprakÇfarë dini për zeron (0) muslimane?
Artikulli vijuesBibla dhe Kur’ani: Para sa vitesh ka filluar jeta e Ademit a.s. në tokë?