Ja sa të rrezikshëm janë ata! Majko: Unë jam muxhahedin!

Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, aq sa edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry nuk e hapi publikisht.

Bëhet fjalë për mbërritjen e të paktën 2 mijë muxhahedinëve iranianë në Shqipëri.

Sipas VOA, SHBA mund të japë deri në 20 milionë dollarë për strehimin e disidentëve iranianë.

Mapo ishte e para që raportoi se qëllimi i vizitës së zyrtarit amerikan ishte strehimi i muxhahedinëve të tjerë.

Në Shqipëri jetojnë aktualisht 1 mijë muxhahedinë, të marrë gjatë kohës kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Ky i fundit ishte i pari që nxitoi të flasë për vizitën e sekretarit Kerry, duke bërë thirrje që qeveria të mirëpresë muxhahedinët.

Ishte një përpjekje për të vrarë dy zogj me një gur.

Berisha njihet si një përkrahës i këtij grupimi, por duke hedhur i pari tezën se Kerry po vjen për iranianët, u fut më tej frikën shqiptarëve, të cilët ende tmerrohen nga etiketimi ‘muxhahedin’.

Në fakt, përpara ca kohësh, vetë Sali Berisha ishte në Paris, aty ky jeton lidershipi i grupimit muxhahedin.

Bashkë me të ishte edhe deputeti socialist, Pandeli Majko.

Sipas GSH, ky i fundit e nisi fjalimin e tij duke thënë në gjuhën e tyre: Unë jam muxhahedin.

Në të vërtetë asnjë palë politike në Shqipëri nuk do dilte kundër vendimit për të pranuar muxhahedinë në Shqipëri.

Por sa të rrezikshëm janë ata?

Me një shpjegim të shpejtë: Ata njihen si një lëvizje opozitare në Iran që në vitet ’60.

Muxhahedinët u formuan në vitin 1965 nga një grup studentësh të majtë dhe qëllimi ishte të rrëzonin Shahun e Iranit.

Kur Shahu u rrëzua, nisi një përplasje tjetër: mes muxhahedinëve dhe fondamentalistëve të Ajatollah Khomeinit që morën pushtetin.

Në fillim të viteve ’80, shumica e tyre ishte larguar në mërgim, kryesisht në Francë.

Deri vonë Perëndimi i kishte në listën e organizatave terroriste.

Por SHBA vendosi t’i heqë nga lista, madje muxhahedinët u bënë aleatë të ngushtë të SHBA.

Pavarësisht se muxhahedinët deklaruan në vitin 2001 se heqin dorë nga dhuna, janë akuzuar nga mediat se financohen, trajnohen dhe armatosen nga Izraeli me qëllim vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë.

Rastet nuk kanë qenë të pakta kur shkencëtarët iranianë janë zhdukur.

Por muxhahedinët thonë se nuk kanë lidhje me këtë.

Para disa kohësh, një nga gazetarët më të mirë në SHBA, Seymour Hersh raportonte se në Nevada të SHBA është ngritur një kamp trajnimi për këta muxhahedinë.

Fituesi i çmimit Pulitzer thotë se muxhahedinët trajnoheshin për të interceptuar komunikimet, në kriptografi, taktika guerile, etj.

Por ai thotë se nuk ka prova që i lidhin muxhahedinët me vrasjet e shkencëtarëve, thjesht di që zyrtarët më të lartë amerikanë, sidomos drejtorët e CIA-s janë mbështetës të zjarrtë të muxhahedinëve.

Edhe pse kanë kohë në Shqipëri, deri më tani nuk ka pasur raportime për ndonjë incident me 1 mijë muxhahedinët.

Ambasada iraniane në Tiranë ka ngritur një njësi speciale që mbikëqyr muxhahedinët, ndërsa pas vizitës së fundit të sekretarit Kerry, shumë media në këtë vend thonë se Shqipëria po ngre një kamp për terroristët.

Megjithatë duhet theksuar se edhe marrëdhëniet mes vetë SHBA dhe Iranit janë qetësuar ndjeshëm, sidomos pas marrëveshjes për programin bërthamor.

Artikulli paraprakGjendet tjetër kufomë, familjarët e këngëtarit në morg
Artikulli vijuesJam me z. Irfan Salihun dhe i qëndroj pranë në të drejtën e tij për mendimin e shprehjen e tij të lirë!