Gjendet tjetër kufomë, familjarët e këngëtarit në morg

Autoritetet në Vlorë kanë gjetur mëngjesin e kësaj të marte trupin e pajetë të një personi, i cili një ditë më parë ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me familjarët e tij.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se, i ndjeri është identifikuar si shtetasi me inicialet H.K, 67 vjeç dhe banues në fshatin Tërbaç.

Nga të dhënat e mbledhura rezulton se 67-vjeçari, rreth orës 9 të ditës së djeshme kishte dalë nga banesa me një kafshë, përmes të cilës do të kalonte lumin Shushicë për të arritur në stanin e tij.

Por që prej atij momenti familjarët e tij nuk janë lidhur dot më me të dhe disa orë më vonë kanë lajmëruar policinë.

Uniformat blu e kanë gjetur atë të pajetë mëngjesin e së martës dhe nga mbikëqyrja paraprake e trupit dyshohet që ai të ketë rënë nga kafsha teksa kalonte lumin dhe të jetë mbytur.

Ndërkohë vazhdon të mbetet akoma e paidentifikuar kufoma e gjetur një ditë më parë në Dajt.

Kur dëgjuan për gjetjen e trupit të pajetë në Dajt, familjarët e Renato Hamzës, këngëtarit të zhdukur nga Elbasani u paraqitën vetë në morg.

Pa u lajmëruar nga policia, ata kërkuan identifikimin e kufomës. Që nga qershori 2014, ky person rezulton i humbur.

Pasi panë kufomën, mesohet se ata mohuan ngjashmërinë me 21 vjeçarin e zhdukur.

Këngëtari i muzikës tallava, i njohur si Reni, ishte 21 vjeç kur humbi të gjitha kontaktet me familjarët.

Ai mori një telefonatë nga disa persona, që iu prezantuan si pronarë të një lokali dhe doli me shpejtësi nga shtëpia paraditen e 29 qershorit të vitit 2014, sipas dëshmisë së nënës së tij.

Që prej asaj dite familjarët nuk u pa më.

Dëshmitarë thanë se Renaton e futën me forcë në një makinë me targa të Kosovës.

Hera e fundit që u pa 21 vjeçari ishte brenda në makinë, në rrethrrotullimin “1 Maji”, në qendër të Elbasanit, teksa kërkonte ndihmë.

Artikulli paraprakVV: Policia e Mustafës dhe Thaçit po i arreston aktivistët fshehtazi
Artikulli vijuesJa sa të rrezikshëm janë ata! Majko: Unë jam muxhahedin!