Jahjaga merr mbështetje nga Amerika

Republika e Serbisë duhet ta pranojë realitetin e ri të Kosovës dhe se integrimi i shtetit serb në Bashkimin Evropian vazhdon të varet nga përmirësimi i raporteve fqinjësore me Kosovën.

Ky është mesazhi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për çështjet Evropiane, Philip Gordon, që e ka dhënë të hënën edhe në Prishtinë, pasi që të njëjtin mesazh ia kishte përcjellë më herët presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, në Beograd.
Qëndrimin e shtetit amerikan ndihmëssekretari Gordon ia ka paraqitur qartë Serbisë, përmes presidentit Nikoliq, të cilit ia ka bërë me dije se SHBA-ja nuk do të lëvizë nga përkrahja që ka për shtetin e Kosovës, e që për këtë ka folur pas takimit që ka zhvilluar me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, shkruan koha.
Gordon është shprehur i bindur se pavarësisht kush do ta krijojë qeverinë e re serbe, ajo do të jetë e përkushtuar për vazhdimin e bisedimeve me Kosovën për të arritur marrëveshje të cilat, sipas tij, do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve jetësore të qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon, i ka ftuar institucionet që ta respektojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese të vendit në bazë të të cilit presidentja Atifete Jahjaga do të mund ta ushtrojë postin e saj deri në 2016./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakPantiq: Serbët të gatshëm për luftë
Artikulli vijuesLDK-ja ndihet e tradhtuar nga Thaçi