Ish Kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, përmes Facebook-ut ka njoftuar se pas 27 viteve në LDK po largohet nga kjo parti.
Në një shkrim të gjatë të titulluar “ Të vërtetat e hidhura të LDK-së”, thotë se ky subjekt politik është degjeneruar dhe procesi i degjenerimit të LDK-së u fillua nga kryetari i atëhershëm Sejdiu dhe u vulos nga pasardhësi i tij Isa Mustafa.
Ajo konsideron se “Lidhja“, nuk ka më asgjë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Thotë se të gjithë e kanë braktisur ish-presidentin Ibrahim Rugova, përfshirë edhe fëmijët e tij.
“Pas vdekjes së Presidentit Rugova LDK-ja ka degjeneruar hap pas hapi dhe në ndërkohë na mbetet të konstatojmë vetëm vdekjen e saj”, thotë Gervalla, transmeton Express.
Donika Gërvalla, është vajza e atdhetarit Jusuf Gërvalla, ndërsa ishte pjesë e LDK-së për rreth 27 vite.
Ky është shkrimi i saj i plotë pa ndërhyrje:
TË VËRTETAT E HIDHURA TË LDK-SË
Kur lojaliteti ndaj partisë politike, në këtë rast LDK-së, bie ndesh me lojalitetin ndaj Kosovës dhe interesave të qytetarëve të saj, atëherë është koha për të folur edhe për të vërtetat e hidhura dhe për të marrë vendime të vështira.
E vërteta më e hidhur është që LDK-ja e sotme, e ashtuquajtura „Lidhja“, nuk ka më asgjë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e cila i udhëhoqi shqiptarët në rrugën e tyre drejt lirisë dhe pavarësisë. Emrin e ka ende LDK, por brenda është bosh. S’ka përmbajtje, s’ka parime, s’ka besë, s’ka koncepte.
Në kreun e LDK-së së sotme të gjithë e kanë braktisur Presidentin Rugova, të cilin nuk hezitojnë ta përmendin sa herë që iu teket. Madje edhe fëmijët e tij. “Lidhja” i ka braktisur parimet mbi të cilat u ndërtua Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë shkelur besën dhe e kanë vrarë shpresën, të cilën kjo parti dikur ua jepte shqiptarëve në Kosovë.
E vërteta tjetër e hidhur është që LDK-ja e sotme, apo e ashtuquajtura „Lidhja“, nuk është e reformueshme. Gjatë viteve të fundit me shumë ngulm dhe pa marrë parasysh situatat me të cilat jam ballafaquar, së bashku me shumë veprimtarë të tjerë, kemi bërë përpjekje të shumta për të evituar çuarjen e LDK-së drejt buzës së greminës. Kemi biseduar me qytetarë në të gjitha anët e Kosovës dhe kemi bërë përpjekje serioze për një reformim të shëndoshë të LDK-së, por kemi hasur në struktura të betonuara, në drejtues politik, të cilët gjithë ditën flasin fjalë boshe. Kemi hasur në maska që nuk thonë atë që mendojnë dhe që shpesh as nuk arrijnë të kuptojnë atë që thonë, sepse përsërisin në kor fraza boshe të vjedhura diku. Në profiterë që edhe me djallin bëjnë krushqi, vetëm e vetëm për të përfituar edhe më tej nga grabitja e shtetit më të ri dhe më të varfër në Evropë.
Personalisht nuk e kam të lehtë ta pranoj të vërtetën e hidhur, të pranoj që pas vdekjes së Presidentit Rugova LDK-ja ka degjeneruar hap pas hapi dhe në ndërkohë na mbetet të konstatojmë vetëm vdekjen e saj. Ky proces i degjenerimit të LDK-së u fillua nga kryetari i atëhershëm Sejdiu dhe u vulos nga pasardhësi i tij Isa Mustafa. Në vend të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe parimeve të LDK-së, këta dy kryetarë të LDK-së filluan të bënin garë se kush më shumë dhe kush më shpejt bie i nënshtrohet strukturave kriminale, të cilave ia dorëzuan fatin e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës.
A janë partitë e tjera në Kosovë më të mira? Jo, përkundrazi. Ato e dëmtojnë çdo ditë Kosovën shumëfish më tepër se LDK-ja. Mirëpo me këto parti politike dhe përfaqësuesit e tyre të korruptuar nuk bëhet shteti. Në të gjitha partitë politike në Kosovë mungojnë demokracia e brendshme, zgjedhjet vërtet të lira dhe interesimi për një përfshirje sa më të gjerë për zgjidhjen e problemeve ekzistenciale për vendin. Nevojitet një lëvizje e re për ta shpëtuar vendin. Me këto parti politike që kemi, e ardhmja do të jetë e errët.
Tek miqtë e saj, Kosova ka humbur shumë nga respekti dhe besimi që ka gëzuar. Por e keqja edhe më e madhe është që qytetarët e saj kanë humbur besimin në qeverinë dhe politikën e vendit. Tepër i madh është numri i politikanëve, të cilëve nuk iu intereson as vendi dhe as qytetarët e tij, por vetëm klientela e vet dhe përfitimi personal.
PSE PO LARGOHEM NGA LDK-ja PAS 27 VJETËSH
Në vitin 1991, duke u anëtarësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës jam bërë pjesë e betejës së madhe politike për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën. Si studente e re, meqenëse regjimi jugosllav më kishte ndalur kthimin në vendlindje, veprimtarinë time për Kosovën e kam ushtruar në Gjermani, ndër të tjera si nënkryetare e LDK-së në Gjermani, zëdhënëse e saj gjatë viteve të luftës, përmes bisedave të rregullta dhe të shumta në parlamentin dhe qeverinë gjermane, përmes pranisë sime në organizata dhe gazeta e mediume të panumërta gjermane dhe shqiptare në Gjermani si dhe. Synimi ynë ishte i kthjellët si loti: Liri-Pavarësi-Demokraci për Kosovën. Në këtë betejë dinjitoze të shqiptarëve, duke filluar nga njerëzit e thjeshtë në fshatra e qytete e deri tek Presidenti Rugova, në Kosovë dhe në mërgatë, gëzonim respekt dhe fituam besimin dhe përkrahjen e botës së qytetëruar.
Lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e arritëm dhe tani po e rrezikojmë përsëri. As koalicioni qeverisës i „komandantëve“, as opozita e ideologëve por as oportunistët dhe të paguximshmit e LDK-së nuk e kanë ndërmend t’i dalin zot shtetit tonë të brishtë. Ata nuk e kanë ndërmend ta shpëtojnë vendin, sepse janë të zënë me vetveten, intrigat dhe përfitimet e tyre financiare.
Nuk është ky synimi për të cilin jam angazhuar pa ndërprerje që nga viti 1991 në Lidhjen Demokratike të Kosovës, madje duke mos llogaritur as rreziqet jo të pakta personale me të cilat jam konfrontuar jo vetëm unë, por një numër i madh i veprimtarëve të LDK-së, disa prej të cilëve lojalitetin ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës e paguan edhe me jetë. Është i madh numri i atyre që me gjithë kërcënimet e shumanshme jemi përpjekur të evitojmë vetëvrasjen e LDK-së. Mirëpo personazhet në krye të „Lidhjes“ nuk janë të interesuara për kurrfarë reformash në LDK. Ata duan të mbrojnë vetëm profitet e tyre, qoftë edhe në kurriz të ekzistencës së LDK-së.
Kush konstaton që një organizatë apo parti është duke u zhvilluar keq, duhet të bëjë çmos për ta ndalur këtë zhvillim. Mirëpo kush e sheh që me gjithë përpjekjet e shumta nuk ndalet ky zhvillim, atëherë duhet të marrë vendimet e nevojshme.
Në LDK tashmë është e pamundur të punosh me nder dhe dinjitet për përparimin e Kosovës. Shpresa e fundit ka vdekur. Kush beson në ndryshime në këtë LDK rrezikon të mashtrojë vetveten.
Kush dëshiron të bëjë diçka për Kosovën, këtë njëherë për njëherë duhet ta bëjë jashtë karteleve të partive politike dhe profiterëve të tyre.
Kështu rrugët tona, si edhe të shumë të tjerëve para meje, ndahen sot. Anëtarësia ime në LDK përfundon me ditën e sotme.
Rruga ime dhe qëndrimi im mbeten të pandryshuara. Janë synimet dhe qëndrimet, të cilat na bënë të fortë dhe na sollën respektin e qytetarëve dhe besimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mbi këtë bazë do të vazhdoj punën time në Kosovë dhe jashtë saj për demokraci dhe çlirimin e Kosovës nga kastat e saj kriminale dhe të korruptuara.
Mbetet respekti i thellë për ata mijëra veprimtarë, të cilët në Kosovë dhe në mërgatë me shumë punë e përkushtim nuk u dorëzuan asnjëherë para sfidave të panumërta dhe më parë se për veten menduan dhe punuan për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
Falje iu kërkoj familjeve të viktimave të SHIK-ut për faktin që nuk arritëm në gjithë këto vite, edhe pse LDK ishte vite me radhë në pushtet, të bëjmë asgjë për zbardhjen e vrasjeve politike dhe nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve.
Për të gjithë ne në Kosovë vlen: e vërteta është e hidhur dhe kohët janë të vështira. Mirëpo nuk ka arsye për të kapitulluar. Kosova ka kaluar kohë edhe më të vështira. Kemi arritur të fitojmë lirinë dhe të dalim fitimtarë në situata edhe më të rënda. Edhe këtë herë do t’ia dalim nëse respektin ndaj njëri-tjetrit dhe përkushtimin me nder dhe dinjitet i vëmë para kompromiseve me korrupsionin dhe kriminalitetin.
Duhet guxim dhe nevojitet kohë. Ndryshimet nuk vijnë vetvetiu dhe aq më pak nga lart. Nevojitet një frymë e re. Përndryshe do të kthehemi në spektatorë pasiv të fundosjes së shtetit tonë të ri dhe të brishtë, ndërkohë që radikalët dhe kriminelët, të cilët janë duke e shkatërruar vendin tonë, po forcohen çdo ditë e më shumë.
Duhet një frymë e re dhe largimi nga strukturat e vjetra. Strukturat e vjetra nuk e kanë të gjatë: të korruptuara, të kriminalizuara, pa kredibilitet tek qytetarët dhe tek partnerët politik. Është koha që të gjithë së bashku të hapim një kapitull të ri për Kosovën.
Rruga jonë e përbashkët dhe përpjekjet tona nuk përfundojnë këtu.
Donika Gërvalla
11 shkurt 2018
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/jep-doreheqje-ish-kryetarja-e-ldk-se-ne-gjermani-rugoven-e-harruan-partine-e-degjeneroi-sejdiu-dhe-mustafa-498255/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright