Senad Maku
Që nga krijimi i njeriut të parë fillon misioni i të dërguarve të Zotit xh.sh. Ademi a.s. ishte njeriu i parë dhe pejgamberi i parë. Pejgamberllëku nuk arrihet me mundim e me lodhje dhe as me shumë ibadet, por është begati e dhuruar prej Allahut xh.sh. atij që dëshiron prej robërve të Tij. Qëllimi i dërgimit të pejgamberëve ishte për ti udhëzuar njerëzit në rrugë të drejtë dhe të vërtetë, për besimin në një Zot dhe për largimin e tyre nga rruga e shtrembër, nga e pavërteta, nga adhurimi i shumë zotërave.
Allahu xh.sh. zgjodhi pejgamber nga vende të ndryshme, çdo pupull ka pasur Pejgamber. Pra qëllimi i tyre ishte që ti ndihmojë mendjes së njeriut që sa më lehtë të gjejë rrugën e drejtë, për besimin në Allahun xh.sh. dhe për tia ngrit njeriut moralin e lartë.
Këtë e tregon edhe Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë:
“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm All-llahun, e largonu djave (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që All-llahu e udhëzoi dhe pati nga ata që isshte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?” (En-Nahl: 36) poashtu në ajetet tjera thotë:
“… nuk pati asnjë nga popujt që nuk pati të dërguar”. (Fatir: 24)
“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!”. (El-Enbija: 25)
Allahu xh.sh. dërgoi shumë Pejgamber-profet, që nga njeriu i parë dhe Pejgamberi i parë, Adami (Ademi a.s.) e deri te Pejgamberi i fundit Muhamedi a.s.. Pejgamberët para Muhamedit a.s. ishin të dërguar për një kohë, për një vend dhe për një popull të caktuar, kurse Muhamedi a.s. ishte dërguar për tërë njerëzimin.
Allahu xh.sh thotë: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Sebe: 28)
Për Jezusin (Isan a.s.) si i dërguar, si Pejgamber i Zotit flet Kur’ani Famëlartë, poashtu edhe vet Bibla.
Feja Islame, Kur’ani i Madhëruar për Isain a.s. thotë: Se Isai a.s. ishte i dërguar i Allahut xh.sh. ashtu siç kan qenë edhe të dërguarit e tjerë, dhe misioni i tij ka qenë i njëjtë me profetët e tjërë. Allahu xh.sh. thotë:
“Ata (ithtarët e librit) thanë: “Bëhuni jehudi ose të krishterë, e gjeni rrugën e drejtë”! Thuaj: “jo, (asnjërën) por fenë e drejtë të Ibrahimit që ai nuk ishte nga idhujtarët. Ju (besimtarë) thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbedhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur”. (Bekare: 135-136)
“Ai u përcaktoi juve fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të. Për idhujtarët është rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. All-llahu veçon për të (për besim të drejtë) atë që do dhe e udhëzon atë që i drejtohet Atij”. (Shura: 13)
Edhe Pejgamberi i fundit Muhamedi a.s. ka thënë:
“ Të gjithë profetët janë mes tyre vëllezër prej të njëjtit baba dhe feja e tyre është një”. (Transmeton Buhariu)
Po qëse një njeri mohon Pejgamberin e Isait a.s., nuk mund të jetë besimtarë. Sepse të gjithë profetët kanë kumtuar të njëjtat parime dhe baza të besimit, prandaj feja që ka gjetur shprehjen e saj në kumtesën e tyre, ka qenë gjithmon Islami.
Për dërgimin e Isait a.s. si i dërguar flasin edhe citate tjera Kur’anore:
“Po kur Isai erdhi me argumente tha: “Erdha te ju me pejgamberllëk dhe erdha t’ju sqaroj atë pjesë që e kundërshtonit, pra kini frikë All-llahun dhe më respektoni mua! S’ka dyshim, se All-llahu është Ai Zoti juaj, andajAtë adhuronie! Kjo është rrugë e drejtë!” (Zuhruf: 63-64)
“Mesihu, bir i Merjemes, nuk është tjetër, vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë). Ja, si u sqarohen atyre argumentet dhe shih pastaj sesi ikthejnë shpinën të vërtetës!” (El-Maide: 75)
“Ne i patëm dhënë Musait librin dhe pas tij patëm dërguar shumë pejgamberë. Isait, birit të Merjemës i dhamë argumente (mrekulli) dhe e fuqizuam me (Xhibrilin) shpirtin e shenjtë. E saherë që u erdhi ndonjë i dërguar me çka nuk u pëlqeu juve, a nuk u bëtë kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa i mbytët? (Bekare: 87)
“O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu Isa, bir i merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besonie pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. ç’ka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur”. (En-Nisa: 171)
Kur shfletojmë Biblën, shohim se edhe në vet Biblën tregohet qartazi se Jezusi erdhë si i dërguar nga Allahu xh.sh. dhe është një ndër profetët e tjerë. Ku në vazhdim do ti cekim disa nga citatet që përmendën në katërt ungjijt si të Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, duke mos ju referuar krejt Dhjatës së Re në tërësi sepse edhe aty ka plotë citate ku tregohet për Jezusin dhe dërgimi i tij si profet, por do të referohemi me këto katër ungjij.
Te Ungjilli i Mateut 10:40-41 tregohet se Jezusi u tha nxënësve të vet:” Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit”.
Poashtu Jezusi tha: ”Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar” (Marku 9 :37)
Në Ungjillin e Llukes tregohet se Jezusi u tha nxënësve: “Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar”. (Llukes 10 :16)
Transmetohet nga Jezusi të ketë thënë:Jezusi u tha atyre: ”Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij”. (Gjoni 4 :34)
Poashtu tek Gjoni 5 :37 thuhet që Jezusi ka thënë:”Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij”.
Ndër këto citate që i cekëm të bibles bëjnë me dije se Jezusi qartë pohon se është i dërguar i Zotit. Jezusi pohon se dikush e ka dërguar dhe kush e pranon mesazhin, dërgesën e tij, ka pranuar Zotin që e dërgoi Jezusin. Me fjalë të tjera, Jezusi është pejgamber, Zoti e dërgoi që ta udhëzoi popullin e tij.
Jezusi pohon se është pejgamber, sepse deklarohet: “Ai që pranon një profet, në emër të një profeti dotë marrë shpërblimin që i takon profetit”. Ky është pohim i qartë nga Jezusi se është pejgamber, i dërguar i Zotit.
Fragmenti “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij” vërteton se Jezusi u thoshte njerëzve se ai është vetëm i dërguar i Zotit dhe vërteton se veprimi i Jezusit është realizimi i vullnetit të Zotit dhe nënshtrim ndaj atij vullneti, të predikojë dhe ta kryej shpalljen me të cilën Zoti e dërgoi. Jezusi deklarohet dhe është shumë i qartë në fjalët e tij, ku nuk ka vend për paqartësi, Jezusi shprehet me gjuhë tepër të qartë, për atë që dëshiron të dëgjojë dhe të kuptojë se ai është i dërguar i Zotit.
Jezusi u tha shokëve: ”Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet”.( Mateu 13 :57)
Ashtu edhe kritika tjetër që Jezusi iu tha popullit të vet për mosbesimin e tyre tregohet tek Lluka 4/24 ku thotë:”Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet”. Jezusi pohoi se është pejgamber dhe se cifutët nuk e njihnin, nuk e pranonin si të tillë.
Në citatin tjetër Jezusi tha:”Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar”. (Lluka 4:43)
Citati i sapopërmendur tregon se obligimi i Jezusit është ta përhap Lajmin e Mirë (Shpalljen), ai pohoj se ishte i dërguar, d.m.th. profet. Në Ungjillin sipas Llukës 24/19 tregon rastin e dy nxënësve që i rrëfenin Jezusit pas shfaqjes së tij ( pas kryqëzimit të supozuar), duke mos e njohur atë, i thanë:”Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit”.
“Dhe turmat thonin: ”Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë”. (Mateu 21:11) “Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: ”Midis nesh doli një profet i madh”. “Ata duke u përgjgjur thanë: ”Disa thonë “Gjon Pagëzori”, të tjerë “Elia” dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur”. (Lluka 7:16/ 9:19) “Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë”. (Gjoni 6:14)
Këtu shihen krejt qartë argumentet bindëse se Jezusi për nxënësit ishte njeri. Lajmëtarë, i dërguar, profet i Zotit. Fjalën i dërguar e gjejm edhe në citatet tjera si p.sh. tek Gjoni 7:18 ku thotë: “Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi”.
Përsëri tek Gjoni 8/29 thotë: “Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë”.
Poashtu Jezusi tek Gjoni 8/42 thotë:”Atëherë Jezusi u tha atyre: ”Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar”.
Këto fragmente vërtetojnë se Jezusi është Pejgamber i Zotit, dhe se ai predikoj mesazhin e Zotit drejtuar njerezve. Ai nuk erdhi nga vetja por ishte dërguar nga Zoti. Këto ishin disa nga citatet në bibel të cilët vërtetojnë, argumentojnë që Jezusi ishte vetëm profet i dërguar i Zotit e jo më tepër.
Jezusi pasi ringjalli të vdekurin të cilin e kishin bartur në qytetin që quhej Nain, të pranishmit thanë:”Midis nesh doli një profet i madh” dhe: ”Perëndia e vizitoi popullin e vet”. (Lluka 7:16)
Të pranishmit thanë: “Profet i madh”, d.m.th. Profet i Zotit-i dërguar, d.m.th. që është një sinjal i qartë se ai është i dërguar i Zotit.
Këto gjëra të qarta a duhet të qartësohen edhe më tepër ? Ku janë ata që dëshirojnë të dijnë, të dëgjojnë, të lexojnë, ku janë ato që dëshirojnë të kuptojnë e të udhëzohen ? KU ? Për atë që dëshiron udhëzim, rruga është tepër e qartë, ndërsa ai që dëshiron humnerën, rrugët janë të qarta dhe të shumta.
Pra duke analizuar citatet e lartpërmendura si ato Kur’anore poashtu edhe Biblike tregojnë qartazi se Jezusi ka qenë i dërguar i Zotit dhe profet i Tij.
Më poshtë do të tregojmë se Jezusi ishte i dërguar veç te një popull ashtu siç ishin Pejgamberët e tjerë para tij. Jezusi ishte i dërguar veç te populli hebre-çifut, te populli i tij, këtë gjë e argumenton Kur’ani poashtu edhe bibla.
Do ti referohemi së pari citateve Kur’anore ku thotë:
“Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend, unë i sheroj të verbërit, të sëmurit ne lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut ngjalli të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpiat tuaja. Vertetë, kjo është fakt për ju nëse jeni besimtarë”. (Ali Imran: 49)
“Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”. (Saff: 6)
“Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob, të cilin e bëmë pejgamber dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm si përvojë për beni israilët”. (Zuhruf: 59)
“Po kur Isai erdhi me argumente tha: “Erdha te ju me pejgamberllëk dhe erdha t’ju sqaroj atë pjesë që e kundërshtonit, pra kini frikë All-llahun dhe më respektoni mua! S’ka dyshim, se All-llahu është Ai Zoti juaj, andajAtë adhuronie! Kjo është rrugë e drejtë!” (Ez-Zuhruf: 63-64)
Citatet Kur’anore tregojnë qartë se misioni i Jezusit dhe dërgimi i tij ishte te populli i vet te Beni Israilët gjë që edhe vet bibla e tregon ku thotë:
Në citatin Mateu 1/21 në të cilën thuhet se engjëlli i tha Jozefit: “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”.
Nga ky fragment kuptojmë se, te fjala e përmendur “popullin e tij”, dihet që populli i Jezusit ishin çifutët. Në citatin nuk thuhet “do të shpëtojë njerëzit” ose “të shpëtojë botën”, por citati thotë: “do të shpëtojë popullin e tij”. Pse? Sepse Jezusi nuk erdh për tërë njerëzimin por qe i dërguar nga Zoti xh.sh. vetëm për çifutët, ashtu siç kanë qenë edhe të dërguarit para tij për një popull.
Pas lindjes së Jezusit, arritën disa dijetarë nga lindja në Jerusalem dhe pyetën: ”Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?” (Mateu 2:2)
Përsëri në Ungjillin e Mateut 2:6 thotë:”Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin”.
Nga argumentet konkludojmë se Jezusi ishte profet-i dërguar i çifutëve, erdh ta shpëtojë popullin e vet nga rruga e shtrembër, nga devijimi. Erdh që ta udhëheq popullin e tij drejt të vërtetës dhe besimit në një Zot, dhe adhurimin ndaj një Perëndie.
Tek Mateu 7/6 thuhet:”Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë”.
Jezusi këtu i urdhëron dhe porositë nxënësit e vet që thirrjen atyre të mos ua predikojnë derrave. Në traditën çifute derrat janë njerëz të etniteteve jo çifute. Ky fragment vërteton se Jezusi përkufizoi misionin e tij vetëm për bijt e izraelit.
Kur Jezusi i dërgoi dymbëlljetë apostujt e tij, ato i porositi duke thënë:”Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: ”Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve, por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. (Mateu 10:5-6)
Jezusi ua ndaloi apostujve që njerëzit joçifut që të mos i thërrasin në fe, as fqinjët e tyre, samarianët. Misioni i tij ishte i përkufizuar apostafat për delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
Në Mateu 15/24 thuhet:”Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”.
Në krahinat e Tirit e Sidonit, një grua nga Kananeja që kishte ardhur, filloi të thërras e të bërtasë: “O Zot bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një Demon!” Jezusi iu përgjigjë: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Jezusi pse refuzoi shërimin e bijës së gruas nga Kananeja, sepse ai siç theksoi është i dërguar vetëm për popullin e Izraelit, i dërguar vetë për delet e humbura të Izraelit d.m.th. profet i Zotit për popullin çifutë.
Në citatin tek ungjilli i Llukës 2/32 thuhet:”dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit”.
Vet citatët e lartpërmendur tregoj përgjigjen se Jezusi ka qenë i dërguar veç për një popull, te Beni Israilët.
Lluka tregon se si Jezusi iu drejtua një turme të popullit çifut me fjalët:”Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez”. (Lluka 11:30)
Fragmenti vërteton se Jezusi është i dërguar i veçant për një vend.
Jona (Junusi a.s.) sipas fragmentit, ishte pejgamber për banorët e Ninovës, poashtu Jezusi ishte shenjë për këtë brezni. Fjala “për këtë brez”, nënkuptohet për vendodhjen e brezit në kohën e ekzistimit, d.m.th. Jezusi ishte për bijt e Izraelit, vetëm për atë brez (për popullin e caktuar dhe vend të caktuar).
Fragmenti tek Lluka 13/33-34, kur çifutët kërkuan nga Jezusi ta lëshojë Jeruzalemin, atëher Jezusi u tha:”Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit. Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!”.
Jezusi tregoi se është pejgamber dhe se nuk do ta lëshojë Jeruzalemin dhe banorët e Jeruzalemit, çifutët i cilësoi si vrasës pejgamberësh. Poashtu argumenti vërteton se Jezusi është i dërguar enkas për Izraelitët.
“Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin” (Mateu 2:6)
Këto ishin disa citate-fragmente nga bibla të cilët lajmëronin Jezusin si profet i çifutëve, përpos këtyre citateve që ceka ka edhe shumë fragmente të tjerë nga bibla në tërësi që tregojnë se Jezusi është profet i Zotit dërguar popullit të Izraelit, çifutëve.
Pra si përfundim Jezusi ishte një nyje në zinxhirin e gjatë të profetëve dhe të dërguarve që Zoti i dërgoi në shoqëri dhe në kombe të ndryshme sa herë që ata kishin nevojë për një udhëheqje apo devijonin nga mësimet e Zotit. Jezusi a.s. u përgadit nga Zoti në mënyrë të veçantë për tu dërguar tek hebrenjët që kishin devijuar nga mësimet e Moisiut dhe të dërguarve të tjerë.
Për fund le të mbetet fjala e Allahut xh.sh. ku thotë në Kur’anin Famëlartë:
“O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vertetën e ngatërroni me gënjeshtën dhe fshihni realitetin”? (Ali Imran: 71)
Postuar nga Bibla dhe Kurani |