Jovanoviq: Po ndryshon politika fataliste e Serbisë

Lideri i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq ka përshëndetur paralajmërimin se qeveria e Serbisë mund të ndryshojë qëndrimin për pjesëmarrje në takimet rajonale në të cilat merr pjesë edhe Kosova.

Jovanoviq, pas takimit me raportuesin evropian për Serbinë Jelko Kacin, ka thënë se Serbia duhet të pushojë të ndëshkojë vetveten, dhe se shteti ka humbur mjaft për shkak të vendimit që të injorojë jetën dhe realitetin.

“Absolutisht mendoj që çdo ndryshim i kësaj politike fataliste dhe të papërgjegjshme që e ka zhvilluar Serbia ndaj Kosovës është i mirë dhe ne diçka të tillë me vite kemi folur dhe kemi propozuar. Duhet biseduar, duhet të marrim pjesë në të gjitha takimet, nuk duhet të tërhiqemi dhe të insistojmë në formalizmin me të cilin e mbulojmë të gjitha dobësitë tona”, ka vlerësuar Jovanoviq, raporton QIK.

Ndërsa kryeministri serb, Ivica Daçiq ka thënë se mënyra e përfaqësimit të Kosovës në takimet rajonale nuk meriton vëmendje të madhe që po i jepet, sepse sipas tij, kjo nuk ka rëndësi të madhe.

Meqenëse ekzistojnë interpretime të ndryshme të marrëveshjeve të Brukselit, Daçiq paralajmëroi se organet shtetërore do të shqyrtojnë si është interpretimi i atyre marrëveshjeve dhe atëherë do të zgjidhet problemi i pjesëmarrjes në takimet rajonale.

Ndërsa për vizitën e Kacinit, Daçiq ka thënë se ajo më së paku është politike, dhe se “është alergjik ndaj asaj që dikush të vijë në Beograd dhe të japë mësime”. /qik/kohaislame

Artikulli paraprakNesër e më 8 shtator testi i maturës
Artikulli vijuesNë pritje – 1770 persona mungojnë