Kambovski theksoi se edhe pse vendin e ka përfshirë një krizë e thellë politike institucionet e Maqedonisë nuk janë aq shumë jofunksionale dhe ende ka njerëz të drejtë të cilët ndjenë barrën e përgjegjësisë
Shoqata për të drejtën penale dhe kriminologji e Maqedonisë në bashkëpunim me Qendrën për Hulumtime Strategjike të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, organizuan debat shkencor dhe profesional me temë “Çështjet e hapura me provat dhe dëshmimi në procedurën penale”, raporton Anadolu Agency (AA).
Debati i organizuar në Shkup ishte i orientuar drejtë disa pikave të cilat dallohen sipas seriozitetit dhe ndërlikueshmërisë, ndërsa mes tyre është statusi i dëshmitarëve të mbrojtur me masat e posaçme hulumtuese, si dhe marrëdhëniet mes informacioneve të kualifikuara dhe dëshmitë e palejuara.
Udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike, Vllado Kambovski, theksoi se edhe pse Maqedoninë e ka përfshirë një krizë e thellë politike dhe në Raportin e Pribes thuhet se institucionet e vendit nuk funksionojnë siç duhet, institucionet e Maqedonisë nuk janë aq shumë jofunksionale, pasi që siç tha ai, ende ka njerëz të drejtë të cilët ndjenë barrën se ata janë përgjegjës për të vendosur drejtësinë në plan të parë.
“Shoqëria e Maqedonisë tashmë ndodhet në një krizë të thellë politike, por edhe kushtetuese. Përballja me të vërtetën është mënyra e vetme që t’i ballafaqohet kësaj krize dhe vendi të vazhdojë rrugën në ujëra më të qeta të një shoqërie të drejtë që jeton me vlera njerëzore dhe humane”, deklaroi Kambovski.
Ndërkaq, shef i çështjeve politike dhe ekonomike në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, David Stevenson, bëri të ditur se SHBA-të kanë ndihmuar Maqedoninë me trajnimin e mbi dy mijë prokurorëve, avokatëve dhe oficerëve të policisë. Ai shtoi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë në këtë fushë e cila do të kontribuojë për një shoqëri demokratike.
Në këtë debat shkencor të pranishëm ishin praktikantë vendor dhe ekspertë të cilët identifikuan shembull të praktikave të mira. Për rekomandimet dhe konkluzionet nga debati, organizatat kompetente do të përpilojnë raport, i cili do t’i përfshijë rezultatet dhe ato do të publikohen në numër të posaçëm tematik të Revistës së Maqedonisë për të drejtën penale dhe kriminologji – Fjalori zyrtar i Shoqatës të së drejtës dhe kriminologjisë të Maqedonisë.