Karaxhiq: Do të luftojmë kundër pranimit të Kosovës në UEFA

Presidenti i Shoqatës së Futbollit Serb, Tomislav Karaxhiq, ka deklaruar se në kongresin e ardhshëm në Budapest, aleanca e delegacionit serb do të luftojë sërish kundër pranimit të Kosovës në UEFA, shkruan radiokim.net, transmeton Klan Kosova.

“Që nga viti 2012 Shoqata e Futbollit të Serbisë ka përdorur të gjitha mjetet juridike të fuqishme kundër përpjekjeve të shtetit të vetëshpallur të Kosovës që të bëhet anëtare e UEFA-s. Me anë të këtyre përpjekjeve kemi arritur që katër herë ta heqim nga rendi i ditës kërkesën për pranim, dhe kështu e kemi parandaluar një padrejtësi të rëndë”, citohet të ketë thënë Karaxhiq për webfaqen e federatës serbe.

Më tej Radiokim shkruan se ai ka thënë që tani sërish serbët para vetes e kanë edhe një sfidë të radhës, meqë para pak kohësh Komiteti Olimpik ka marrë një vendim të vështirë për ta, duke e pranuar Kosovën në mesin e tyre.

Por, Karaxhiq mendon që në mbështetje të tyre është fakti se vendimi për pranimin e Kosovës ka shkaktuar trazira të mëdha në rajon dhe më gjerë, dhe se sipas tij me këtë rast është hapur Kutia e Pandorës në Evropë.

“Nuk është sekret që ‘rasti i Kosovës’ nuk është i vetëm”, ka përfunduar Karaxhiq, shkruan radiokim, transmeton Klan Kosova.

Artikulli paraprakFinancial Times: Kosovës i hiqen vizat bashkë me Turqinë e Ukrainën
Artikulli vijuesGormez: Mes vendeve muslimane duhet unitet