KEDS mbledh borxhet e vjetra të KEK-ut

Kompania për furnizim dhe shpërndarje të energjisë, KEDS, ka nisur t’i mbledhë borxhet e vjetra të KEK-ut, të cilat arrijnë në 400 milionë euro.
Megjithëse nuk kanë pranuar të japin asnjë shifër, zyrtarë të KEDS-it i kanë thënë KTV-së se përpos mbledhjes, ata janë duke i njoftuar qytetarët nëpërmes sqarimeve në fatura.

Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se për çdo informatë shtesë, të gjithë konsumatorët mund të kontaktojnë pikat shitëse të KEDS-it ose nëpërmes adresave dhe kontakteve të përshkruara në anën e pasme të faturës mujore.

Drejtori financiar i KEK-ut, Sali Bytyçi, ka deklaruar se KEDS-i ka sjellë raportin tremujor dhe se tani raporti është duke u shqyrtuar, mirëpo merr kohë për t’u sqaruar borxhi i saktë i mbledhur. Ai ka thënë se në bazë të marrëveshjes është angazhuar një auditor i pavarur, i cili do të merret me autidimin e të dhënave që kanë të dyja kompanitë.

Sipas marrëveshjes së arritur, KEDS-i do të përfitojë nga arkëtimi i borxheve të vjetra që sillet nga 15 deri në 25 pwr qind.

Marrëveshja në fjalë parasheh që shteti t’i ofrojë gjithë bazën ligjore dhe atë të sigurisë në dispozicion të KEDS-it, me qëllim të mbledhjes së këtyre borxheve shumëvjeçare. Pamundësia e mbledhjes së borxheve të vjetra asnjëherë nuk ka arritur të zgjidhet, pavarësisht shumë ideve që janë dhënë nga qeveritë e ndryshme të ardhura në pushtet që nga përfundimi i luftës. /TG

Artikulli paraprakArabia Saudite dënon haxhinjët për kundërvajtje
Artikulli vijuesKosova bllokon mallrat e Maqedonisë