Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, njëherit kryetar i partisë “Fjala”, ka reaguar ndaj deklarimeve të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Kosova është si Izraeli, dhe se Kosova duhet të largohet nga Turqia.
Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, deklaratat e Veselit i ka quajtur fyese dhe ofenduese, duke shkruar: “kryetar i Kuvendit të Kosovës, si nuk të vjen turp, si nuk ke marre ta barazosh Kosovën me shtetin e Izraelit”.
“Populli i Kosovës kurrë nuk ka vrarë qytetarë të pafajshëm, ashtu siç po bën regjimi i Izraelit me popullin e Palestinës. Dhe sa i përket politikës jo të drejtë të Izraelit ndaj Palestinës, shumica e vendeve të BE janë distancuar nga kjo politikë e Izraelit dhe po këto vende të BE kanë njohur shtetin e Palestinës”, ka thënë Kelmendi.
Ndërsa, sa i përket deklaratave të Veselit se Kosova duhet të largohet nga Turqia, kryetari i partisë Fjala, ka thënë se ai ka kaluar çdo kod dhe normë diplomatike, dhe ka fyer rëndë raportet e shkëlqyera me Turqinë, kur ka thënë se duhet “larguar nga Turqia”.
“Mos harro se Republika e Turqisë është prej vendeve të para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe është prej vendeve që vazhdon të lobojë fuqishëm për Pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Izraeli ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Ju si Kryetar Kuvendi po e izoloni Kosovën, po dëshironi t’i largoni miqtë më besnikë që ka Kosova. Kosova ka nevojë edhe për SHBA, Be, Turqinë dhe të tjerët”, ka thënë Kelmendi. /Telegrafi/