Kërkesa e Kosovës në Interpol të bëhet përmes SHBA-së!

Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, në veçanti në organizatën ndërkombëtare të policisë kriminale “Interpol”, pasi që përpjekjet e saj kanë qenë joserioze.

Kështu ka vlerësuar raporti i nxjerrë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me titull “Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë – Rasti i INTERPOL-it”.

Sipas këtij raporti, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) angazhimi i institucioneve kosovare ka ngelur më tepër në kufijtë e deklarimeve politike sesa të veprimeve konkrete në këtë drejtim.

“Institucionet përkatëse të Kosovës nuk kanë dëshmuar vendosmëri politike për të vendosur marrëdhënie zyrtare dhe të drejtpërdrejta me INTERPOL-in, derisa urë lidhëse vazhdon të mbetet misioni i UNMIK-ut”, thuhet ndër të tjera në këtë raport-analizë. Ky hulumtim bën të ditur se për anëtarësim në INTERPOL, Kosova nuk duhet të jetë pjesë e OKB-së.

“Diplomacia kosovare duhet të argumentojë në pikëpamje juridike e policore të drejtën për anëtarësim në INTERPOL. Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe argumentet juridike me rastin e pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA shërbejnë si përparësi”, rekomandohet në raport

Artikulli paraprakTurqia tronditet nga një tjetër shpërthim afër stacionit të policisë
Artikulli vijuesPaqartësi rreth 'Trepçës'