Kërkohet bazë e re ligjore për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme

Kosova ka nevojë për bazë të re ligjore e cila do të mundësonte ndjekjen më efikase të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Kështu është thënë sot në një konferencë të organizuar nga Cohu, ku është bërë publikimi i analizës “Veprimi Kundrejt Performimit”.

Arton Demhasaj që e prezantoi këtë hulumtim, ndër të tjerash ka përmendur edhe mungesën e bashkëpunimit ndër-institucional, problemet në definimin dhe përdorimin e termeve ngrirja, sekuestrimi dhe konfiskimi në mënyrë të unifikuar në të gjitha aktet ligjore të cilat merren me aspektin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

“Në anën tjetër, përfaqësues nga shoqëria civile si Betim Musliu dhe Ehat Miftaraj nga IKD si dhe Visar Sutaj nga KDI shprehen shqetësimet e tyre lidhur me kalimin e konfiskimit në procedurë civile duke u bazuar në kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika. Po ashtu këta përfaqësues të shoqërisë civile fokus të veçantë i kushtuan mungesës së vullnetit politik, më shumë mungesës së zbatimit të legjislacionit ekzistues sesa nevojës për një pako të re ligjore si dhe probleme të tjera me konfiskimin e pasurisë,” thuhet në një njoftim të Çohu.

Tutje hulumtimi gjen probleme të mëdha statistikore, dallimet e mëdha në mes shumës së sekuestrimit krahasuar me atë të konfiskimin përfundimtar, raste nga prokuroritë dhe gjykatat lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin dhe probleme të tjera, njofton Çohu.

“Bazuar në të gjeturat e hulumtimit dhe diskutimet në tryezë, si përfundime të tryezës dolën mungesa e vullnetit për zbatimin e ligjeve ekzistuese, mungesa e efikasitetit të institucioneve relevante, në veçanti Prokurorisë së Shtetit, mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit në mes të institucioneve kryesore relevante për konfiskimin e pasurisë si dhe problemi me legjislacionin ekzistues i cili rregullon konfiskimin e pasurisë” thuhet në njoftimin e Organizatës Çohu.

Artikulli paraprakAmbasadorja amerikane në KB bën thirrje t’i jepet fund konfliktit në Siri
Artikulli vijuesBlushi: Në referendum votuan njerëz që nuk janë anëtarë të PS-së