Instituti GAP kërkon që të hetohet një marrëveshje e nënshkruar mes Ministrisë së Transportit në vitin 2008 me kompaninë Eurolab për homologimin e veturave.
Kjo kontratë është nënshkruar në kohën kur ministër ka qenë Fatmir Limaj, ndërsa kohëzgjatja e saj është 10 vjeçare.
Sipas Institutit GAP, “para nënshkrimit të kontratës dhe dhënies së autorizimit, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit, duke shmangur në këtë formë edhe konkurrencën, duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie”.
Pas aprovimit të një vendimi nga ana e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e veprimeve që kufuzojnë konkureencën, Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar vitin e kaluar nga kjo kompani që të bëhet rishikimi i marrëveshjes. Por, Eurolab ka refuzuar një gjë të tillë duke thënë se edhe në vendet tjera ka monopol në homologimin e veturave, thuhet në një raport të Institutit GAP.
Por, raporti jep shembuj të praktikave të homologimit në vendet tjera në rajon, ku janë të licencuara disa kompani për homologimin e veturave.
Instituti GAP rekomandon që duke marrë parasysh se kontrata është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, rasti duhet të dërgohet në prokurori për hetim
Ky institut po ashtu rekomandon që “të largohet neni 8.6 i udhëzimit administrativ nr.2008/08, i cili kushtëzon që kontrolli i parë teknike të kryhet nga kompania për homologim. Kjo pasi që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”.kohaislame