Këshilltari i kryeministrit Mustafa, ish pjesëtar i MUP-it të Serbisë?! (Video)

Ivan Tomiçi, drejtor i Zyrës për Komunitete në Qeverinë e Kosovës, por edhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, duket se para se të hyjë në politikë, ka qenë pjesë e MUP-it të Serbisë.
Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka kontaktuar zyrën për media të Qeverisë së Kosovës, por ata kanë thënë se nuk janë në dijeni të këtyre fakteve. Ndërsa, Tomiç e mohon të ketë punuar ndonjëherë për çfarëdo institucioni të Qeverisë së Serbisë.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se Ivan Tomiç ka punuar si pjesë e policisë serbe dhe për këtë është njoftuar zyra e kryeministrit, por se ata nuk ka reaguar deri me tani.

Tomiç mendohet se në Policinë e Serbisë ka punuar diku rreth vitit 2008.

Ai ka pasur të postuar edhe në rrjetin e tij social “Facebook” një foto ku shihet me uniformë dhe me tre gishta të ngritur lartë. Këtë foto ai e ka hequr nga rrjeti i tij social kohëve të fundit.

Gjithashtu, burime brenda Qeve risë së Kosovës, bëjnë të ditur se Tomiç është i lidhur ngushtë edhe me rusët.

Gjatë këtij viti, Tomiç ka qenë pjesë e një seminari në “Rusi-Srpski Humanitarni Centar” ( Rusi-Serbi- qendra humanitare) në Nish, vend ky që nga shërbimet e huaja të inteligjencës njihet si qendër e spiunazhit rus në Serbi. Në këtë vend dhe gjatë kësaj kohe Tomiçi ka qenë i vetmi serb nga Kosova, gjë që flet për rendësin që ka Tomiçi te rusët.

KosovaPress ka dërguar pyetjet edhe me shkrin në zyrën për media në Qeverinë e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje asfare për këtë çështje.

Edhe pse punon në zyrën e kryeministrit për komunitete, emri i Ivan Tomiçit nuk figuron në faqen e kryeministrisë.

Tomiç që nga shtatori i këtij viti është në krye të Zyrës për Komunitete në Qeverinë e Kosovës dhe ndonëse merr pagën nga taksat e qytetarëve të Kosovës, ai askund nuk e ka të publikuar se punon për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe se është këshilltar për komunitete i kryeministrit, Isa Mustafa.

I kontaktuar nga KosovaPress, Tomiç ka deklaruar se puna të cilin ai e bën ka të bëjë me identifikimin dhe gjetjen e mënyrave se si t’i ndihmojnë dhe qasjen nevojave të komuniteteve në Kosovës.

“Një nga detyrat kryesore këtu është shërbimi ndaj të gjitha komuniteteve në Kosovë. Një nga gjërat kryesore që jam duke i kushtuar vëmendje është identifikimi i nevojave i të gjitha komuniteteve dhe të gjejmë mënyra se si mund t’i përgjigjemi nevojave të tyre. Po ashtu një nga detyrat kryesore që kam unë është këshillimi i kryeministrit në lidhje me komunitetet, kështu që sapo shoh se cilat janë problemet më të mëdha e informoj kryeministrin rreth këtyre problemeve dhe shohim se çfarë mund të bëjmë rreth kësaj”, tha Tomiç.

Para se Tomiç të vinte në krye të Zyrës për Komunitete në Qeverinë e Kosovës, për gjashtë muaj ka ushtruar postin e këshilltarit të kryetarit të atëhershëm të Graçanicës, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës.

I pyetur se a i pranon institucionet dhe Republikën e Kosovës, ai jo fort në gjendje të rehatshme tha se shikon punën që bën si çdo punë tjetër dhe se e di se kush është punëdhënësi i tij, ndonëse asnjëherë nuk përmendi fjalën Republikë apo shtet gjatë gjithë kontaktit që pati me ekipin e KosovaPress-it.

Tomiç mohoi kategorikisht se kishte punuar në çfarëdo forme për Qeverinë e Serbisë.

“Nuk kam punuar kurrë për Qeverinë e Serbisë. I kam pasur dy puna gjatë kohës sa kam qenë në kolegj. Kam punuar në disa organizata. Kam përvojë të mirë në atë fushë, por e gjithë puna ime që lidhet me institucionet është ajo me Komunën e Graçanicës dhe në zyrën e zëvendëskryeministrit”, tha Tomiç./Telegrafi

Artikulli paraprakPërgaditja e liderëve të ardhmërisë
Artikulli vijuesZviceranët i hanë gishtin kosovarit dhe i grabisin 8 mijë euro