Këshilltari i Trumpit thotë se Millosheviqi e fitoi luftën kundër Nato-s

3 Min Read

Dihet tashmë që mediet serbe janë entuziazmuar pas zgjedhjes së presidentit amerikan, Donald Trump, duke menduar se kanë një mbështetës të kauzave të tyre në Uashington.

Sipas tyre, triumfi i Trumpit ka qenë një triumf i serbëve.

Megjithatë Trump ka uruar Kosovën në 9-vjetorin e pavarësisë dhe duket se politika amerikane nuk do ndryshojë qëndrim.

Por një analizë e këshilltarit për sigurinë të Trumpit, gjeneralit Raymond McMaster, po bën xhiron e rrjetit në Serbi.

Gazetarja e njohur gjermane, Renate Flottau, që ka mbuluar rajonin tonë prej 30 vitesh, shkruan në ‘Huffington Post Deutschland’, se McMaster mendon se fitues i luftës në vitin 1999 nuk ka qenë NATO, por Millosheviçi.

Sipas analizës së publikuar nga McMaster në vitin 2003, fushata e bombardimit e NATO-s u kthye në një makth për aleancën.

McMaster thotë se NATO u mundua ta mbulojë humbjen me një seri ‘lajmesh false’.

Kështu, edhe pse NATO deklaroi se ka shkatërruar 450 raketa serbe, në fakt shkatërroi vetëm 20 të tilla.

Pavarësisht se u tha se janë shkatërruar 120 tanke serbe, u shkatërruan vetëm 14 të tillë.

Pas një fushate prej 78 ditësh, shoqëruar nga 40 mijë fluturime, nuk u shkatërrua as 5 për qind e makinerisë luftarake serbe.

McMaster shkruan se zyrtarët e NATO-s fërkuan sytë me mosbesim kur në fund të luftës panë se si e gjithë flota ajrore serbe doli e paprekur nga një hangar në Prishtinë dhe nisi udhëtimin për në Beograd.

McMaster thotë se ishte një dështim i teknologjisë më të avancuar në planet ndaj improvizimeve serbe.

Sa herë një avion spiun i NATO-s fluturonte mbi pozicionet serbe, ata fshihnin tanket e makineritë ushtarake dhe nxirrnin në pritë tanke kartoni.

Lokalizimi i serbëve ishte i vështirë edhe për shkak se mbrojtja ajrore serbe i detyronte avionët e NATO-s të fluturonin mbi 15000 metra lartësi.

Edhe radarët serbë ishin shumë të vështirë për t’u pikasur, pasi fshiheshin në gropa, duke shënuar kështu një dështim spektakolar të NATO-s.

Edhe më e rëndë bëhet situata, shkruan McMaster, po të mendosh se Serbia kishte shumë spiunë brenda aleancës.

Një tjetër dështim ishte vendosja e helikopterëve apache në Shqipëri. Pista ku u vendosën ishte me baltë dhe ujë të ndenjur. Fluturimi i parë i testimit solli rrëzimin e dy pilotëve dhe fluturimet natën ishin të vështira për shkak të terrenit malor dhe mungesës së mbështetjes tokësore.

Por përse erdhi dorëzimi i Millosheviç?

Autori shkruan se jo vetëm prej kërcënimit se do ndërhyhej me trupa tokësore, por më së shumti për shkak se Moska tërhoqi mbështetjen ndaj Millosheviçit, duke sjellë kapitullimin e tij./mapo.al

TAGGED:
Share This Article