Këta janë njerëzit më me ndikim në botën e kriptovalutave

Vlera totale e tregut të të gjitha kriptovalutave ka kaluar shifrën prej 600 miliardë dollarësh në vitin 2017, ndërsa personat e mëposhtëm janë në mesin e qindra individëve të cilët po e udhëheqin revolucionin digjital i cili po i transformon tregjet financiare dhe institucionet shoqërore.

Ekspertët kanë analizuar mijëra individë të cilët janë të përfshirë në botën e kriptovalutave anë e mbanë botës, dhe kanë arritur ta krijojnë një listë me personat më me ndikim të kësaj industrie, transmeton Telegrafi.

 

Lista është një përzierje e hakerëve, akademikëve, inxhinierëve dhe gazetarëve – dhe që të gjithë janë të angazhuar intensivisht që ta dërgojnë para lëvizjen e kriptovalutave!

Vitalik Buterin

 

Buterin është krijuesi i valutës virtuale ‘Etherum’, platformë e Blockchain-it që vepron si kompjuter i botës për aplikacionet e decentralizuara. Vlera e Etherumit ka arritur majat gjatë vitit 2017 (vlera totale tregtare e Etherumit është mbi 130 miliardë dollarë). Buterin është bashkëthemelues i ‘Bitcoin Magazine’ dhe drejtues i kriptovalutës Etherum.

Charlie Lee

Lee është krijues i valutës virtuale Litecoin, dhe ish Drejtor i Inxhinierisë në ‘Coinbase’. Lee është mjaft i aftë në punën e tij, dhe njihet edhe për punët e tij në kompanitë si Google dhe Guidewire software.

Brian Armstrong

Brian është bashkëthemelues dhe drejtor i ‘Coinbase’ – sistem i hapur financiar dhe që shërben si shitblerje për Bitcoin. Ai ka diplomuar në shkenca kompjuterike, në ekonomi dhe ka diplomë Master në degën Shkenca Kompjuterike nga Universiteti Rice. Ndër tjerash, ai është shfaqur edhe në filmin e vitit 2014 “The Rise and Rise of Bitcoin”.

 

Roger Ver

Roger konsiderohet si personi i parë në botë që ka investuar në startup-et që kanë pasur të bëjnë me Bitcoin (duke përfshirë investimet e tij në Bitcoin.com, Blockchain.com, Z.cash, BitPay, Kraken dhe Purse.io). Roger ka edhe një biznes për shitblerjen e pjesëve kompjuterike, ndërsa biznesi i tij ka qenë i pari në botë që ka pranuar pagesa me Bitcoin.

 

Andreas M. Antonopoulos

Andreas është autor i librave “Mastering Bitcoin” dhe “The Internet of Money” – libra të cilët shpjegojnë se përse Bitcoini është i rëndësishëm për botën. Antonopoulos gjithashtu mban fjalime rreth Bitcoinit, dhe shpeshherë thirret si dëshmitar ekspert në gjyqet që ndërlidhen me sigurinë dhe detajet teknike të kriptovalutave.

Gavin Andresen

 

Gavin është një nga zhvilluesit origjinalë të Bitcoinit, i cili ishte emëruar si developeri lider në ‘Bitcoin Core’ nga vetë Satoshi Nakamoto!

 

Laura Shin

Laura është redaktore në prestigjiozen ‘Forbes’, ndërsa ka për detyrë mbulimin e temave që ndërlidhen me kriptovalutat dhe teknologjinë Blockchain. Ajo gjithashtu ka një emision të vetin në radio rreth kriptovalutave, i cili quhet “Unchained”.

Përveç këtyre, në mesin e personave më me ndikim në botë për çështjen e kriptovalutave hyjnë edhe Jihan Wu, Thomas Power, Erik Voorhees, John McCafee, Tyler Winklevoss, Barry Silbert, Tuur Demeester, Vinny Lingham, Tone Vays, Adam Back, Charlie Shrem, Peter Todd, etj. /Telegrafi/

Artikulli paraprakShteti ndau për Bujar Bukoshin 90 mijë euro
Artikulli vijuesNë 2018-tën Zërat e rremë do të bëhen të dyshimtë