Kështu nuk kultivohet toleranca

Toleranca ndërfetare është nënvizuar shpesh si një nga vlerat e rralla të Kosovës. Edhe pse tradicionalisht kanë ekzistuar tri konfesione, kosovarët kanë krijuar një klimë respekti të ndërsjellë. Është artikuluar si vlerë e veçantë për shkak se, me gjithë dallimet e mëdha që ka në përfshirjen popullore, prapë ka mbretëruar dhe vazhdon ende një atmosferë paqeje. Kosovarët janë 96% myslimanë derisa komunitet tjera, përfshirë edhe ata që janë deklaruar si ateistë ose të pafe, janë vetëm 4%. Kjo ka bërë që bota mbarë faktorin mysliman në Kosovë ta sheh jo vetëm si më meritorin absolutisht për këtë klimë respekti dhe tolerance por edhe si model dhe shembull. “Shumicë myslimane” shpeshherë ka qenë fjalë kyçe e ligjëratave politike kur i janë referuar Kosovës për përkrahjen e tyre, për modelin e bashkëjetesës fetare, etj.

Por, a po vazhdon toleranca me këtë frymë?
A është dikush duke provokuar devijimin e saj?
A është duke u keqpërdorur toleranca?

Duke lexuar shkrimin e Gjergj Meta “Evropa e “krishterë” dhe Shqipëria “myslimane”” ndjeva një kënaqësi të veçantë. Respekti i sinqertë vërtet ndërton ura bashkëpunimi. Por, kur më ra në sy shkrimi kobndjellës i Dom Lush Gjergjit “Krishterimi historik dhe aktual në Kosovë”, më kaploi një ndjenjë keqardhjeje se si njerëz me karaktere hienash dinë mjeshtërisht të minojnë dhe shkatërrojnë këto ura. Nuk i besoja syve atë që lexonin. Duke patur parasysh këtë klimën shthurëse dhe arrogante të liberalizmit që po na imponohet, ku secili mund të shkruaj e thotë çfarë të dojë, nuk thashë se ku e mori D.L. Gjergji guximin, por si nuk pati turp të shkruan kësisoj. Më besoni, kam mbetur i shtangur. Fjalë të rënda dhe fyese. Nuk do t‘i merrja me shqetësim sikur t’i thoshte dikush tjetër, ngase jemi mësuar këto vitet e fundit të dëgjojmë gjithçka prej tyre, por të dëgjosh nga D. L. Gjergji që është munduar ta faktorizojë veten si një element bashkëpunimi, kjo është e rëndë. Konsideroj se ka bërë një shkrim shumë tendencioz dhe me prapavijë të keqe. Nuk kursehet nga shpifjet dhe ofendimet deri në maksimum.

1. Indoktrinimi

D. L. Gjergji ka përvjelë mëngët dhe i është rrekur indoktrinimit të shoqërisë kosovare nëpërmjet historisë, gjegjësisht të pavërtetave historike. Ai rikthen për të sa qindtën herë debatin më shterpë dhe më pak frytdhënës, atë të islamizimit të shqiptarëve me dhunë. E, duke qenë se kjo i dhemb më së shumti, pjesën më të madhe të helmit e ka të rezervuar për këtë gjë. Fillon me krahasimin makabër të osmanëve me serbët, për të krijuar një teren të përshtatshëm për plasimin e teorinë e tij famëkeqe në vazhdim. Shpallja e osmanëve kriminelë i jep komoditetin që ngjashëm me disa prijës më të lartë të tij, Islamin ta shpall si të keq, dhunshëm, vrazhdë, imponues. Ai, për dallim nga pjesa më e madhe e historianëve profesionistë, thotë se Islami është përhapur me dhunë. Or i mjerë, a nuk mendon veç pak se po të ishte kështu ti nuk do të ekzistoje sot fare si katolik?! Osmanët kanë vepruar në kohën kur bota ka regjistruar pashpirtësinë dhe agresivitetin prej bishe të egër të Kishës, e cila, jo rrallë linte mundësi të tretë: ose i krishterë, ose i vdekur (mbytur) mizorisht.

2. Përralla mbi fenë e vjetër

Katolikocentrizmin e tij D. L. Gjergji e shpreh edhe nëpërmjet thirrjes për kthim në fenë e të parëve. Duke qenë se shqiptarët myslimanë i llogarit për “laramanë”, fjalën e ka për popullatën masive, ndërsa shpreh bindjen (e kotë) se intelektualët dhe të rinj po kthehen kah katolizicmi, ai merr kambanën dhe na shurdhon me thirrjen për ne fenë e vjetër.
Por, cila na qenka kjo e vjetër e shqiptarëve?
Katolicizmi, sigurisht jo. Atëherë ngel ortodoksizmi ose paganizmi.
A e ka idenë ai se për çfarë flet?!
Thirrja për në këto besime për shqiptarët e besimit mysliman, të cilët provojnë çdo ditë e më tepër lidhjen e tyre me Islamin, është sikur të thërrasësh për në shkatërrim.
Gjergji nuk e fsheh se ka kjo gjë nuk është vetëm thirrje verbale. Ata kanë misionarizëm në Kosovë dhe këtë në emër të shpërndarjes së ndihmave (Karitasi).

3. Kukuvatja dhe çirrja për të shkeljen e të drejtave

D. L. Gjergji përmend një fakt “shokues.” Në Kosovë paskësh edhe të atillë që nuk po guxuakan ta nxirin sheshazi kryqin e fshehur. Paska shkelje të atillë të drejtave aq sa njerëzit nuk po guxuakan të publikojnë besimin e tyre, ndryshe, të krishterët do të ishin më shumë. Këto janë pallavra. Janë marrëzi. Nëse edhe sot nuk mund të bësh publik besimin, atëherë nuk di kur mund të bëhet?! Sot, në Kosovë ka vend për të publikuar edhe ateizmin, madje për këtë gjë Kosova llogaritet parajsë, ndërsa nuk ka vend për ta nxjerrë kryqin.
Siç duket, ai kryq qenka thellë i gropuar, me gjasë deri tek halucinacionet.
4. Loja me personalitete
Papatë me origjinës shqiptare dhe humanistja Nënë Tereza merren si shembuj të asaj se krishterimi i ka kontribuar këtij populli me emra ndërkombëtar. Unë do të doja t’ia kujtoj D. L. Gjergjit se myslimanët shqiptarë kanë prodhuar emra edhe më të mëdhenj të dijes. Do të doja tua kujtoj Nasiruddin Albanin, Vehbi Gavoçin, Kadri Sokolin (Abdul Kadir Arnautin), Shuajb Arnautin, emra të mëdhenj të shkencave, disa prej të cilëve muslimanët e kanë të pamundur të mos i kthehen për çështje shkencore çdo ditë, për shkak të punës kolosale që kanë bërë.
Në përfundim, do të doja të shpreh dhe një herë shqetësimin tim se kjo vlerë e rrallë me provokime të këtilla nuk do të ruhet e aq më pak të kultivohet.
Do t’i preferoja të shmangë bisedat për fenë për shkak të shqetësimit të madh që po marrim vazhdimisht nga kryeqendra e tij, Vatikani, i cili vazhdon ta refuzojë njohjen e Kosovës shtet për shkak se -siç e kanë shprehur si qëndrim zyrtar- Kosova është pjesë e djep i Kishës Ortodokse Serbe.

Artikulli paraprakPas Demaçit edhe Qosja: Rugova tradhtar, armik i UÇK’së, i bënte dhurata Millosheviçit
Artikulli vijuesDëmi i vjedhjes nga “babadimrat” 400 mijë euro