Përballë llumnajave të imponuara mediatikisht, si elita intelektuale…

Prej kohësh po lexoj dhe rilexoj libra që trajtojnë jetën dhe gjurmët e sahabëve të Resulull-llahut (a.s). Është pushimi më i mirë dhe shoqëria më garante, që të falë prehje dhe qetësi, emocione besimi dhe krenari legjitime për këtë fé të madhnueshme islame dhe shpirtin e saj, që përhapet si bekim hyjnor në çdo cep të globit e në çdo zemër fatlume, si rreze ndriçuese dielli, në stinë dimri…

Sonte, iu riktheva leximeve për sahabiun e dashur, Hz. Tufejl ibn Amër Ed-Deusi. Një poet i shquar jemenit, drejtues i kabiles së tij, burrë i urtë dhe largpamës, që udhëtoi drejt Mekës dhe u vendos në një prej rrethinave të saj, në ditët e para të dërgesës së Hz. Muhammedit (a.s).

Një grup nga paria e mushrikëve mekas, pasi mësuan për të dhe vendosjen e tij në Mekë, vendosën ta takojnë dhe ta paralajmërojnë për rrezikun e ri, që i kanosej Mekës dhe idhujtarisë së atjeshme… [Dhe kur atyre u lexoheshin ajetet Tona të qarta, ata, të vërtetës (Kur’anit) që u erdhi, i thanë: “Kjo është magji e hapët!”] – (Kur’ani, El-Ahkafë: 7)

Pasi trokitën në derën e tij dhe u ulën, si miq në shtëpinë e tij, ia nisën: “O Tufejl, ti, sapo ke ardhur në mes nesh, në viset tona. Ndërkohë, ky njeri (Hz. Muhammedi), që ndodhet në mesin tonë, po na rëndon, po na përçan shoqërinë tonë, po na largon nga njëri-tjetri. Fjalët e tij janë si magji, që ndan burrin nga gruaja, djalin nga baba, vëllaun nga vëllau. Prandaj, meqenëse kemi frikë për ty dhe popullin tënd, të këshillojmë të mos i flasësh e të mos dëgjosh prej tij…” – (Esma Tabbaa, “Nuxhumun fi felekin-Nubuvveh”, botimi i parë, Damask, 2004, f. 230-235)

Pas këtij takimi, Hz. Tufejli, tregon, se: “Pasha All-llahun, aq shumë më folën, sa vendosa të mos dëgjoj asgjë prej tij (Hz. Muhammedit), madje i mbushja veshët me pambuk dhe i mbyllja, kur kaloja pranë Qabes, nga frika se mos dëgjoja ndonjë fjalë prej tij, njëkohë që nuk doja ta dëgjoja…

Por, një ditë, teksa Resulull-llahu (a.s) po falej, desht All-llahu që unë të dëgjoja ca fjalë nga këndimet e tij… Ishin fjalë të bukura. I thashë vetes: I mjeri ti, o njeri! Unë jam burrë i zgjuar, poet, arrij ta dalloj të bukurën nga e shëmtuara! Po përse të mos e dëgjoj se çfarë thotë ky njeri?.. Dhe prita derisa u larguan krejt njerëzit dhe e ndoqa të dërguarin, deri në shtëpinë e tij. Trokita dhe hyra… I kërkova të më fliste për çështjen e tij… Resulull-llahu (a.s) nisi të më tregonte për Islamin dhe më lexoi ca ajete nga Kur’ani. Pasha All-llahun, kurrë më parë nuk kisha dëgjuar fjalë më të bukura, as më të drejta se ato. U bëra musliman dhe dëshmova dëshminë e së vërtetës…” – (Po aty, f. 231)

E solla këtë fragment, për t’i thënë djemve tanë të rinj dhe të rejave besimtare, se kjo fé dhe kjo dritë e bekuar ISLAME, ka garanci hyjnore, të përhershme, absolute! Nuk e lëndon cinizmi i asnjë mushriku, as mendjelehtësia e asnjë të sëmuri shpirtëror, as tendencat tinzare të mesjetarëve të përhershëm në mesin tonë, as propaganda e kahershme e ato bashkëkohore islamofobe, që vegjetojnë në ambiente të papastra, ku realisht e kanë vendin!

E solla këtë fragment, për të nxitur të rinjtë tanë dhe të rejat besimtare, që ta jetojnë Islamin me krenari dhe dinjitet, ta mbajnë kokën lart, kudo që të ndodhen dhe ta mbrojnë Islamin e tyre, me qytetarinë, besimin dhe kulturën e fesë islame, pa u ndrojtur e pa hezitim para askujt, pa bërë dredha, nga frika e etiketimit si musliman a “jo evropian”!?

Në fund të fundit, njeriu duhet të ketë kurajo të dëshmohet, si musliman shqiptar, plot dinjitet legjitim, duke mos lejuar taborrat e shirkut ta etiketojnë fenë e tij, si fé pushtuesi, fé terrori, fé dhune e injorance, sikurse jemi mësuar të dëgjojmë viteve e dekadave të fundit nga llumnajat e imponuara mediatikisht, si elita intelektuale, në këtë vend me probleme serioze identitare!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Artikulli paraprakKadinj dhe hoxhallarë në Shkodër në një kartolinë të kohës së Austro-Hungarisë. (FOTO)
Artikulli vijuesAleanca Izrael-Rusi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe Palestinës në interpol