KFOR-i lëshon demant, ROSU është partner i yni!

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në Prishtinë se gjoja pjesëtarët e tij kanë bastisur Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës – ROSU.


“Këtë javë ka pasur dy incidente të raportimeve të rrejshme në media. Raportimi i tretë i pasaktë ka ndodhur sot në lidhje me raportet tona me Policinë e Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowicki. Ai ka thënë se misioni i NATO-s e konsideron Policinë e Kosovës si partnerin më të besueshëm dhe më të aftë kur është në pyetje sigurimi i ambientit të qetë dhe të sigurt.

“KFOR-i kurrë nuk e ka parë nevojën për të kontrolluar apo monitoruar ndonjë element të Policisë së Kosovës, andaj edhe hedh poshtë raportimet e sotme të rreme”, ka deklaruar Nowicki. Ai ka thënë se “thashethemet e tilla shërbejnë vetëm për të minuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me partnerët”.

Reagimi ka ardhur pas një shkrimi të botuar në “Koha Ditore”, ku thuhet se KFOR-i gjatë gjithë natës, ka ruajtur dhe vëzhguar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës, ROSU në Mitrovicë. Burime ndërkombëtar i kanë thënë gazetës me kushte anonimiteti se KFOR-i ka pasuar një informacion se Njësia speciale e policisë së Kosovës e njohur si ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.

Ndërkohë, Shaban Shala, Kryesues i Departamentit të Njësive Speciale të policisë së Republikës së Kosovës, në një prononcim për TV ‘Dukagjini’, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë urdhri për nisjen e ROSU-së në veri.

Shala ka deklaruar se ka një zinxhir komandues që funksionon, ndërsa lëvizjet e Njësive ROSU nga Peja për në Mitrovicë, që janë raportuar nga mediat, i ka quajtur lëvizje në kuadër të detyrave që kanë pjesëtarët e këtyre njësive speciale. Shala po ashtu ka demantuar që KFOR-i të ketë bastisur bazën e Njësive Speciale Opertaive të njohura si ROSU. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakFetchnotes, një shërbim i thjesht për të mbajtur shënime
Artikulli vijuesOSBE përshëndet Ligjin për RTK-në