Në tribunën e mbrëshme që Këshilli Opozitar e mbajti në Strugë, shkrimtari dhe publicist Kim Mehmeti tha se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet më t’i përkrahin partitë siç është BDI-ja, e cila interesin e drejtuesve të vet e ve mbi atë të popullit.
“Mjaft më përkrahëm parti dhe drejtues partiak me mendësi leniniste, të cilët besojnë se partia është më e vlefshme se populli dhe se interesi i drejtuesve partiak është i barabartë me atë të popullin! Ne shqiptarët e Maqedonisë do bëhemi pronar të fatit tonë vetëm nëse paraprakisht ia dalim ta kthejmë moralin e rrënuar politik, pra vetëm nëse dalim nga kjo gropë septike politike ku na futën BDI-ja dhe PDSH-ja, të cilat parti në vend që të ishin mbrojtëse të interesit shqiptar, ato u bënë mbulesë për qarqet policore maqedonase antishqiptare!”, tha Kim Mehmeti gjatë bashkëbisedimit me struganët.
I pyetur nga të pranishmit rreth bashkëpunimit mes partive opozitare, Kim Mehmeti tha se është lodhur duke shpjeguar se këtij populli kurrë nuk i kanë munguar politikanë që ia thonë popullit atë që ai dëshiron ta dëgjojë, por ka nevojë për politikan që kanë aq moral sa t’u vijë turp që votën ta kërkojnë shqip, e që pastaj, posa të vijnë në pushtet, të veprojnë e mendojnë si vasalë: me mendësinë e sunduesit – vetëm maqedonisht!”
“Ne të Këshillit Opozitarë e kemi thënë qartë se nuk duam të bëhemi vëllazëri e karrieristëve politikë e as pastrues i njollave politike nga kapotat e atyre që shpesh i ndërrojnë emblemat partiake. Andaj edhe nuk mund të bashkëpunojmë me cilindo që takojmë rrugës, e as me ata që të besojnë paradite e të kritikojnë pasdite. Ne nuk mund të bashkëveprojmë as me ata që shtiren se nuk e kanë të qartë se vallë Lëvizja Besa është e jona, apo ne jemi të kësaj partie. Kështu që ne vazhdojmë të ndjekim rrugën tone pa ndje nevojë cilindo ta pyesim se vallë më shumë e parapëlqen bashkëpunimin me forcat progresive të BDI-së dhe PDSH-së apo me ne, njësoj siç nuk pyesim se vallë ndonjë parti ka për qëllim ta reformojë vetveten, apo Këshillin tone! Dhe ne nuk pyesim askënd për asgjë ngaqë e dimë se çdonjëri mban përgjegjësi për veprimtarin e vet dhe ne nuk jemi ai gjyqi supreme që i vlerëson gjithë të tjerët, por mund ta vlerësojmë vetëm vetveten!” – tha Kim Mehmeti