KMDLNJ thotë KEDS po vjedh me letra

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), akuzon kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike për për fryrje të qëllimshme të faturave të qytetarëve të Prishtinës.

Në një komunikatë dërguar medieve tw premten, KMDLNJ thotë se fryrja e faturave po bëhet kryesisht në kohën e tarifave dimërore kur “po shkaktohet konfuzion (mbase i qëllimshëm) në mënyrë që të krijohet një mbulesë për plaçkitje flagrante që po u bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë faturimit për rrymën e shpenzuar e cila nuk është në përputhje me shpenzimet reale”.

Sipas kësaj organizate, arsyetimet e KEDS-it se nuk ka fryrje të faturave por se rryma humbë për shkak të rrjetit elektrik të vjetruar, ngritja e çmimit gjatë muajve të dimrit për shkak të rritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike, komplikimit të faturimit, mosleximit të rregullt të njehsorëve, gabimeve gjatë leximit të njehsorëve etj. “nuk janë të qëndrueshme sepse fryrja e faturave ka filluar të bëhet rregull”.

KMDLNj konsideron se është “momenti i fundit” që qeveria, përkatësisht Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të ndërmarr veprime të menjëhershme për vendosjen e rendit në KEDS duke pamundësuar që KEDS, “përmes plaçkitjes së vazhdueshme që u bënë qytetarëve” të rrezikojë edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike e cila edhe ashtu është shumë e rëndë.

KMDLNj kundërshton fuqishëm që tarifat dimërore të llogariten në afatin 6 mujor si dhe kërkon të bëhet një çmim i njëjtë për të gjithë shpenzuesit e energjisë elektrike pavarësisht se a janë konsumues të mëdhenj apo të vegjël.

Si pasojë e fryrjeve të faturave ka pasur pakënaqësi të madhe të qytetarëve të Kosovës ndërsa në Prishtinë ka pasur protesta të qytetarëve.

Artikulli paraprakEkstremistët çifut vandalizojnë pemishtet palestineze
Artikulli vijuesMarinsat amerikanë vrasin një djalë pesë vjeçar afgan