Koalicioni qeverisës po përballet me probleme gjatë miratimit të ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht numrave që i kanë, mungesa e kuorumit po shihet si sinjal se dy partitë e mëdha mund ta çojnë vendin në zgjedhje.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës prej arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje e kanë quajtur veten si “koalicion i elefantëve”, meqë kishin mbi 80 deputetë në Kuvend. Por, koalicioni qeverisës aktualisht po përballet me sfidën e numrave, meqë një mori projektligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare kanë dështuar si pasojë e mospasjes së kuorumit.
E, kjo po shihet si sinjal se partnerët qeverisës do ta çojnë vendin në zgjedhje. Në seancën e 16 qershorit Kuvendi kishte në rend dite ratifikimin e Marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.