Kodi i ri Penal penalizon gazetarët, jo politikanët e korruptuar

Deputetët kosovarë kanë gjetur formulën për t’ua mbyllur gojën njerëzve që i denoncojnë politikanët në media për kushtëzim shërbimesh me dhënie ryshfeti. Rezultati gjendet në nenet 38, 427 dhe 428 të Kodit Penal.

Kodi i ri Penal, i miratuar një ditë më parë në Kuvend, i bën penalisht përgjegjës gazetarët dhe redaktorët nëse gjykata konstaton se zbulimi i informatave është i domosdoshëm për të parandaluar veprën penale të dënueshme me burgim prej së paku tre vjet ose për veprën penale të paraparë edhe në nenin 427 që flet për marrje ryshfeti, si dhe nenin 428 që flet për dhënie ryshfeti, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Kësisoj, nëse gazetari nuk e zbulon burimin që ka deklaruar t’i jetë kërkuar ryshfeti ose që ka dhënë ryshfet për një shërbim, ai mund të përfundojë në burg. Në të kundërtën, në burg mund të përfundojë burimi që ka folur për gazetën në kushte anonimiteti, në rast se media ia publikon identitetin.

Dhe derisa kanë vendosur të tillë normë, deputetët kanë rezistuar një kërkesë të shoqërisë civile për ta penalizuar edhe deklarimin e rrejshëm të zyrtarëve publikë.

Avni Zogiani, drejtor i organizatës për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet “Çohu”, është ai që ka insistuar vazhdimisht në këtë. Veprimin e ka parë si tendencë të pushtetit për superioritet mbi mediat.

“Domethënë, politikanët bëjnë me deklaru rrejshëm, e gazetarët po u dashka me pasë etikë. Ky Kod e shfrenon prej çfarëdo etike zyrtarin ose politikanin, ndërkohë që insiston në etikë deri në kufizim të lirisë së shprehjes së gazetarit”, ka thënë Zogiani./koha/kohaislame

Artikulli paraprakYahoo më mirë se pritjet
Artikulli vijuesÇfarë të bëjmë kur laget laptopi?