Në Kosovë funksionojnë “një numër i pa justifikuar i misioneve ndërkombëtare”, duke krijuar përshtypjen se vendi është në një stad shumë të hershëm të tranzicionit, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar”, është shprehur ai gjatë një fjalimi para Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, tashmë ka ardhur koha, kur institucionet e Kosovës “duhet të sillen si zot shtëpie në vendin e tyre”.
“Me qindra milionë euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit EULEX. Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare”, ka theksuar Thaçi, në lidhje me sfidat dhe ngecjet e Kosovës, duke kërkuar që përgjegjësia t’i ndahet edhe faktorit ndërkombëtar.
“E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj. Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe vetëbesim”, ka deklaruar ai.
Në vijim, Thaçi ka shprehur mospajtime edhe nëlidhje me Gjykatën Speciale e cila pritet të nis punën me mision, hapjen e rasteve të dyshuara për krime lufte, ku në radhë të parë në “llupën e drejtësisë”, pritet të jenë disa nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“E votuam në atë kohë Gjykatën Speciale për të ruajtur partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës”, ka theksuar Thaçi.
“Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar, 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë. Ndërsa, paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues”, ka vlerësuar ai.
“E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar”, ka thënë ndër tjera Presidenti i Kosovës.