Kolegjet reklamohen si universitete, shkelin ligjin

0
192

Disa nga bartësit privatë të arsimit të lartë në Kosovë, në reklamat e tyre për të pranuar studentë të rinj e cilësojnë veten si universitete ose kolegje universitare, pavarësisht se ato, duke u bazuar në Ligjin për arsimin e lartë të Republikës së Kosovës, nuk i plotësojnë kushtet për diçka të tillë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ky ligj saktëson se emërtimi “Universitet” mund t’i jepet vetëm atij bartësi të akredituar të arsimit të lartë, që ka ofruar kurse apo programe të akredituara për së paku pesë vjet, në të paktën pesë fusha studimi, sikurse përcaktohet në akt nënligjor të Ministrisë dhe i cili ka nxjerrë të paktën nga një të diplomuar me doktoratë të akredituar në secilin nga këto programe studimi. Sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Nehat Mustafa, disa nga bartësit privatë të arsimit pa të drejtë po i quajnë kolegjet e tyre universitete ose edhe kolegje universitare. “Diçka e këtillë është për t’u ndëshkuar, pasi që është mashtrim i opinionit publik, i atyre që duan të arsimohen”, ka thënë Mustafa teksa ka shtuar se këto mashtrime do të duhej të ndiqeshin edhe nga Prokuroria. Ai ka theksuar se përdorimin e emërtimit “Universitet” si edhe cilësimin “Kolegj universitar”, bartësit privatë të arsimit po e bëjnë kryesisht nëpër medie si edhe në pankartat që po i vendosin gjithandej kryeqytetit e qyteteve të tjera më të mëdha të Kosovës.

“Emërtimi ‘Kolegj universitar’, mund t’i jepet bartësit të akredituar të arsimit të lartë, i cili ofron studime të doktoratës në së paku tri fusha të studimeve dhe që janë të akredituara nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA)”, thuhet në dispozitivin e Ligjit të arsimit të lartë, aty ku flitet për universitetin. Në ligj theksohet se fjala ”Universitet”, si fjalë e ndarë ose në kombinim me përshkrime të tjera, nuk mund të miratohet ose të përdoret në çfarëdo forme në emërtimin e ndonjë bartësi pa lejen e Ministrisë, pas miratimit në parim nga ana e AKA-së. AKA-ja saktëson se asnjë nga institucionet private shkollore nuk kanë të drejtë të quhen universitete dhe kolegje universitare, prandaj pa u akredituar ato nuk mund të jenë të tilla, pasi që ligji e ka përcaktuar mirë çështjen. Zëvendësministri Mustafa ka theksuar se inspektorati ka inspektuar të gjithë bartësit e arsimit të lartë dhe ka konstatuar se pjesa më e madhe e këtyre institucioneve po e respektojnë Ligjin e arsimit të lartë dhe vendimet e AKA-së, pasi që i kanë eliminuar emërtimet ‘Universitet” e “Kolegj universitar”, por ka kolegje ku vazhdojnë të figurojnë këto mbishkrime, megjithëse edhe drejtuesit e tyre janë deklaruar në favor të përmirësimit. Ndryshe, ka thënë Mustafa, shqetësues është fakti që disa bartës privatë të arsimit të lartë në reklamat e tyre në medie dhe në forma të tjera i përdorin ata emra. “Ky është një mashtrim publik që u bëhet qytetarëve të Kosovës dhe që meriton të jetë lëndë që duhet të hetohet nga institucionet e drejtësisë”, ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar që vetë ministri e ka angazhuar sekretarin e MASHT-it që ta angazhojë inspektoratin e arsimit që t’i hetojë këto gjëra, në mënyrë që të ndërmerren masat në raport me gjendjen e vlerësuar në terren. Gjithashtu, Mustafa ka thënë se ministri ka takuar krerët e bartësve privatë të arsimit të lartë dhe u ka kërkuar që ta respektojnë Ligjin për arsimin e lartë dhe vendimet e AKA-së. Po kështu, ministria pret edhe reagimin e AKA-së për këtë çështje, në mënyrë që të mos përsëritet “Kristali” edhe në Kosovë. Në lidhje me “Kristalin”, Mustafa ka thënë se qysh në vitin 2008 kjo ministri ka njoftuar për dyshime rreth tij, kurse gjërat janë vërtetuar disa vjet pas. Ai ka thënë se kanë informacione që në Ministrinë e Shëndetësisë ka mjaft punëtorë që janë të punësuar me diploma të panostrifikuara. Për të qenë edhe më keq, sipas tij, zyrtarë të lartë të Ministrisë kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me atë universitet. Po kështu, Mustafa ka thënë se Ministria është duke hulumtuar nëse ndonjë nga këto kolegje ka pranuar studentë që nuk e kanë mbaruar testin shtetëror të maturës. “Në rast se gjenden, vetë ministria do t’i iniciojë lëndët në prokurori”, ka thënë ai. Në AKA janë akredituar për programe themelore e master 26 bartës të arsimit të lartë.

Gazeta ka siguruar një raport të inspektimit, i bërë në përputhje me ligjin nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë. Sipas këtij raporti, ku janë dhënë shënimet për 20 bartës të arsimit privatë, përkatësisht kolegje, është konstatuar se në 6 nga këto kolegje nuk respektohet ligji dhe vendimet e AKA-së. Shkelja ligjore, në 5 raste ka të bëjë me emërtimin “Kolegj universitar”, kurse vetëm një rast ka të bëjë me emërtimin “Universitet”. Shkeljet ligjore janë vërtetuar edhe në reklamat që i bëjnë këto kolegje, të cilat edhe pse në letra janë në përputhshmëri me vendimet e AKA-së, reklamohen si “Universitete” ose “Kolegje universitare”, emërtime të kundërligjshme. Po ashtu, një pjesë e mirë e tyre, edhe pse mbishkrimet në objekte i kanë në rregull, në ueb-faqet zyrtare që kanë janë emërtuar si “Universitet” e “Kolegj universitar”. Inspektimi i kolegjeve, sipas raportit të Inspektoratit të arsimit është bërë gjatë muajit korrik të sivjetmë. Pas këtij inspektimi dhe tërheqjes së vërejtjes, disa nga kolegjet, si “Tempulli”, “Victory”, “Humanistika”, “Biznesi” etj, janë zotuar se do t’i rregullojnë mbishkrimet. Gazeta ka provuar t’i kontaktojë edhe drejtuesit e disa kolegjeve, porse nuk ka arritur, pasi që stafi i kontaktuar nuk i ka dhënë vetes të drejtë të flasë për çështjen.

Në nenin 11 të Ligjit për arsimin e lartë, pika 5, theksohet se bartësit e arsimit të lartë, përveç universiteteve, me kusht të akreditimit sipas nenit 4 të këtij ligji, fitojnë emërtime, të cilat pasqyrojnë natyrën, fushëveprimin dhe nivelin e ofertës të tyre, derisa në pikën 6 të të njëjtit ligj theksohet se emërtimet “Kolegj universitar”, “Kolegj”, “Institut”, “Shkollë” ose “Akademi”, veçmas apo në kombinim me përshkrime të tjera, nuk mund të përdoren në çfarëdo forme në emërtimin e ndonjë bartësi pa lejen e qartë të MASHT-it, me rekomandimin e AKA-së.koha/kohaislame