Koment – Vallë cili Perëndim, cila Evropë?!

Njerëzit e kuptojnë botën nëpërmjet nocioneve e koncepteve. Komentet rezultojnë pozitive, ose negative në bazë të vlerave, që u jepen nocioneve. Përfundimet, që dalin nga këto analiza, ndonjëherë prodhojnë efekte ndryshe nga e vërteta, ose të padrejta.
 
Natyrisht që rreth kësaj çështjeje mund të renditen shembuj të panumërt; por ato, që spikasin më shumë mes tyre gjatë muajve dhe viteve të fundit, janë komentet në lidhje me perëndimin, islamin dhe myslimanët. Secila prej tyre duhet analizuar veçmas, por ky koment do të fokusohet tek koncepti “perëndim”. Sepse, pas sulmit terrorist ndaj të përjavshmes satirike franceze “Charlie Hebdo”, perëndimi dhe perëndimorët kanë nisur të bëhen pjesë e diskutimeve dhe debateve po aq sa dhe islami e myslimanët. Kjo situatë nuk është krijuar vetëm si pasojë e sulmit të 7 janarit në Paris, që konsiderohet si zemra e Evropës; por edhe si rrjedhojë e vlerësimeve pozitive dhe negative, që bëhen në vendet myslimane për perëndimin.
Përgjithësisht, tek analizat rreth perëndimit bien në sy historia dhe politikat kolonialiste, imperialiste, agresive dhe rrënuese të perëndimorëve. Sepse, deri në shekullin e 20-të, vendet perëndimore kanë shfrytëzuar pamëshirësisht deri në palcë Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Ky shfrytëzim kolonialist ka dëmtuar shumë rajone të botës nga aspekti ekonomik, ushtarak dhe politik. Ndërsa në qindvjeçarin XX, ideologjitë raciste, fashiste, naziste dhe komuniste, që janë shfaqur asokohe në Evropë, janë bërë shkaktare të luftërave botërore dhe përgjatë Luftës së Ftohtë e kanë ndarë botën në kampe ideologjike. Jo shumë larg, në vitet e para të shekullit të 21-të, perëndimi ka ndërmarrë operacione ushtarake pushtuese në Afganistan, Irak, Palestinë dhe rajone të tjera. Kurse islamofobia, e cila ka marrë përmasa të frikshme veçanërisht gjatë disa viteve të fundit, mund të shikohet si një problem në lidhje me një lloj të ri racizmi dhe diskriminimi “sociologjik” në Evropë.
Vetëm se fillimisht duhet theksuar që nocioni perëndim përfaqëson dy kontinente të ndryshme, Evropën dhe Amerikën. Ky dallim është i rëndësishëm jo vetëm nga pikëpamja gjeografike, por njëherësh edhe nga këndvështrimi i politikave të jashtme të tyre në 5 dekadat e fundit. Në perëndim, nga njëra anë vihet re “modeli imperialist”, që karakterizohet nga përqendrimi i prodhimit e i kapitalit në duart e monopoleve të mëdha dhe nga sundimi i oligarkisë financiare, nga krizat, nga përdorimi i metodave ushtarake dhe nga kontradiktat e luftërat e papajtueshme ndërmjet fuqive të mëdha kapitaliste për të siguruar lëndë të para e tregje, për të eksportuar kapitalet, për të pushtuar vende të tjera, për të rindarë botën dhe për të shfrytëzuar gjer në palcë popujt e tjerë; nga ana tjetër spikat “modeli i integrimit”, që u jep përparësi afrimeve ekonomike, dialogut dhe ligjit. Një shembull konkret për modelin imperialist është fakti që SHBA-të, nën drejtimin e neokonservatorëve (neocon), bënë përpjekje për ta ndryshuar Lindjen e Mesme me forcë, si në rastin e Afganistanit dhe Irakut. Kurse shembulli më i prekshëm për modelin e integrimit është rruga e ndjekur nga Bashkimi Evropian: Transformimi i atyre vendeve, që dëshirojnë, nëpërmjet metodave diplomatike dhe ekonomike. Ndërkohë që i pari është një afrim i njëanshëm dhe mjaft autoritar, modeli i dytë është një i tillë demokratik për ndërtimin e dialogut dhe konsensusit. Në të parin nuk merren aspak në konsideratë opinionet e palëve të tjera, ndërsa në modelin e dytë ndiqet procesi i ndërveprimit reciprok nëpërmjet opinioneve të pranueshme të palëve bashkëbiseduese.
Modeli i integrimit, qoftë nga prizmi i objektivave dhe qoftë nga ai metodave për centrimin e tyre, synon eliminimin e kushteve negative për të zhvilluar cilësinë e jetesës; mbron vlera si demokracia, të drejtat e njeriut dhe pluralizmi, si dhe mundëson një transformim të qytetëruar. Në dallim nga shembulli tjetër, modeli imperialist kërkon të ketë në dorë kontrollin e plotë pa i llogaritur fare kundërshtarët dhe normat qytetare.
Një tjetër pikë e rëndësishme në lidhje me konceptin perëndim është dallimi ndërmjet organizimit të quajtur Bashkimi Evropian dhe vendeve të Evropës. Fillimisht duhet nënvizuar se vendet, apo shtetet e Evropës nuk janë e njëjta gjë me BE-në. Edhe pse është një organizatë e shteteve evropiane, BE-ja ka statusin e personit juridik, ka ideale mbishtetërore, vlera, objektiva dhe praktikat e saj. Bashkimi Evropian është themeluar për sheshimin e kundërshtive, problemeve dhe mangësive realpolitike të shteteve të Evropës në kornizën e filozofisë dhe vlerave idealist/liberale. E parë nga ky prizëm, BE-ja qëndron mbi vendet evropiane dhe gëzon një pushtet orientues. Ndaj është gabim të kritikosh politikat e BE-së nëpërmjet politikave të brendshme dhe të jashtme të Francës, apo Gjermanisë. Politikat e brendshme dhe ato të jashtme kombëtare të Francës, Gjermanisë, apo të ndonjë shteti tjetër anëtar të Unionit, nuk përfaqësojnë filozofinë dhe synimet e Bashkimin Evropian. Një shtet, që aspiron të bëhet anëtar i BE-së, nuk do të bëhet pjesë e Francës, ose Gjermanisë, por anëtar i Bashkimit Evropian. Helbete, Franca dhe Gjermania kanë epërsi shumë të madhe në këtë organizatë gjithevropiane; megjithatë, aftësia supranacionale e BE-së gëzon një pushtet dhe ndikim mbi këto dy vende, por edhe mbi shtetet e tjera të Evropës.
Prandaj, teksa brenda Bashkimit Evropian është e mundur bashkëjetesa e kulturave, shoqërive, madje dhe qytetërimeve të ndryshme; kjo gjë duket mjaft e vështirë në modelin imperialist. Duke qenë se filozofia e bashkëjetesës zotëron potencialin e nevojshëm për të zhvilluar pluralizmin, stabilitetin dhe paqen; ajo garanton po ashtu bashkëpunimin dhe solidarizimin ndërmjet njerëzve dhe traditave të ndryshme. Përvoja e BE-së e ka këtë potencial. Pikërisht këtu e ka burimin edhe vlera e Bashkimit Evropian, që më parë ka fituar çmimin Nobel të Paqes. Kjo vlerë e BE-së është vërtetuar nga eksperienca. Evropa ka arritur të ndërtojë paqen më të gjatë të historisë në hapësirën e saj gjeografike.
Nga ana tjetër, BE-ja synon gjithashtu të zhvillojë paqen me vendet islame dhe në krye të këtij objektivi qëndron anëtarësimi i Turqisë. Republika e Turqisë është një shtet kandidat për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian; në këtë kontekst vijon edhe procesi i negociatave. Për më tepër, është për mos t’u nënvlerësuar edhe Dialogu i Qytetërimeve, që është ndërtuar ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve islame. Ky projekt nënkupton mundësinë për zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet qytetërimeve perëndimore dhe islame me rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit.
Sfida, me të cilën BE-ja përballet sot, është distancimi i modelit të integrimit nga presionet e vendeve anëtare dhe grackat socio-kulturore si islamofobia. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të fuqizohet për aq kohë sa arrin ta fitojë këtë sfidë. Në këtë kundërt, pra në rast se dështon, BE-ja do të ballafaqohet me rrezikun e shpërbërjes.
 
Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll/trt/kohaislame
Artikulli paraprakReagim ndaj gazetës proqeveritare (Dnevnik)
Artikulli vijuesNë Parlamentin italian propozohet njohja e Palestinës si shtet