Opozitarizmi në Lindjen e mesme

“Qeveria pa opozitë duhet të jetë ose tirani ose iluzion”- Leonard Schapiro

Shkruan: Muhamed Jashari, Shkup

Opozita në një vend e përligj ekzistimin e saj në suaza të sistemit demokratik. Në këtë mënyrë opozitës i mundësohet që, përmes betejës zgjedhore si një instrument legal, t’i ndryshojë strukturat dhe aparaturën shtetërore.

Demokracia bën të mundur që njerëzit dhe grupet politike t’i shprehin qëndrimet ndaj pushtetit, të mos pajtohen me të ose t’i kundërshtojnë veprimet e klasës qeverisëse. Asnjë qeveri nuk është dhe nuk mund të mbështetet nga gjithë populli, pavarësisht pretendimeve të qeverisë.

Një ndër detyrat e sistemit politik është që të gjejë baraspeshën ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ideja e organizmit politik të atyre që kundërshtojnë pushtetin, në këtë rast opozitës, është element përfitues si për pushtetin, ashtu edhe për popullin. Andaj opozita duhet të posedojë një trup të shquar organizativ. Mënyra se si funksionin sistemi politik, raportet ndërmjet partive politike ose institucioneve shtetërore, e bëjnë politikën ashtu siç thotë Hejvudi (Heywood) “art të së mundshmes”.

“Mjeshtri” i politologjisë R. Dali (Robert Dahl) ofron një definicion shumë të thjeshtë për atë se çfarë është opozita. Sipas tij, ajo ekziston atëherë kur aktori B kundërshton veprimet dhe sjelljet e qeverisë A. Ndërsa Sartori (Giovanni Sartori) opozitën e sheh si dialektikë të jetës, jo vetëm të politikës. Pra, opozita është antipod i pushtetit dhe korrigjuese e saj, ajo është brenda sistemin politik, por jashtë sferës qeverisëse.

Çfarë ndodhë në rast se pushteti i shtyp oponentët dhe e shtrëngon zërin opozitar!? Në këtë rast opozita pa dyshim ose pushon së ekzistuari dhe kthehet në rezistencë aktive ose formalisht ekziston, por pa kurrfarë efekti. Rezistenca aktive vjen në shprehje gjatë revolucioneve ose rebelimit social, kur qytetari në mënyrë të hapur shpreh revoltën kundër autoritet politik, sistemit dhe klasës sunduese, ashtu siç u pa gjatë “Pranverës arabe”.

Kur diskutohet çështja e opozitës doemos duhet të shihet edhe struktura e pushtetit në atë vend ose rajon. Kjo na ndihmon për t’i kuptuar jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, por edhe raportin ndërmjet shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Lindja e Mesme konsiderohet rajoni që, pavarësisht transformimeve që përjetoi bota në deceniet e fundit, ajo edhe më tej i reziston demokratizimit dhe sistemit demokratik. Popujt arabë të rajonit i përjetuan dy forma të qeverisjes, monarkitë trashëguese dhe regjimet autoritare, sisteme këto statike e të palëvizshme dekada me radhë. Në Lindjen e Mesme liria individuale dhe politike u sakrifikua në interes të sigurisë shtetërore dhe stabilitetit rajonal.

Kërkesat për më shumë liri dhe demokraci artikulohen nga populli dhe qytetaria aktive, mirëpo nëse ai (populli) ngrihet për të kërkuar barazi politike dhe reforma, ose do të shtypet brutalisht, siç u dëshmua në Egjipt, ose shteti e josh popullin me dollarë, siç ndodhë në vendet e pasura të atij rajoni.

Opozita në rajonin e Lindjes së Mesme nuk mund të krahasohet me opozitën në vendet me demokraci të konsoliduar, pasi që vepron në një mjedis me regjim autokratik, ku pushteti në shumë raste i ka shpallë partitë opozitare armiq dhe kërcënues të shtetit.

Marrëdhëniet ndërmjet pushtetit dhe opozitës në regjimet autokratike dhe ato në sistemet demokratike, krahas asaj që veçohen në disa çështje, siç është aspekti historik, konceptual ose ideologjik i partisë, aty duhet marrë në konsideratë edhe nivelin e shtrëngimit të oponentëve politikë. Tanimë është e njohur se në vendet autokratike presioni ndaj partive opozitare është shumë më i lartë sesa në vendet demokratike. Studiuesja e politikave të Lindjes së Mesme L. Favket (Lousie Fawcett) me të drejtë pohon se shumica e qeverive të rajonit jo vetëm që janë jodemokratike por edhe antidemokratike. Nëpër shtetet e Lindjes së Mesme zakonisht kufizimet ligjore pengojnë inkuadrimin e kundërshtarëve të pushtetit në sistem dhe institucione të politikëbërjes. Këto kufizime vijnë si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit në shtet dhe koekzistencës së autoritetit politik me gjykatat civile dhe ushtarake, që shpeshherë në formë arbitrare i mbyllën partitë politike opozitare.

Në regjimet autokratike kryesisht i hasim tri modele të opozitarizmit ose lëvizjeve opozitare:

a) Grupet opozitare që konsiderohen lojale ndaj pushtetit – këtu më shumë hasen lëvizjet për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Gjatë revolucionit të vitit 2011 në Egjipt, lëvizje të ngjashme mbështetnin regjimin e vjetër të Mubarakut.

b) Grupet ose lëvizjet opozitare, të cilat janë të toleruara nga pushteti – ato paraqiten në shoqëri në mënyrë të pavarur, por shteti vazhdimisht i ka nën kontroll, përmes mekanizmave të tij, dhe e eliminon shfaqjen e çfarëdo lloj konkurrence. Në shumë shtete të botës arabe reformat në shoqëri dhe të drejtat e njeriut promovohen pikërisht nga kjo kategori.

Nëse regjimi konsideron se aktiviteti i tyre përbën rrezik eventual, aparatura shtetërore herë pas herë e vë nën trysni veprimtarinë e tyre, ngjashëm siç ndodhi viteve të fundit me lëvizje të moderuara islame në Kuvajt dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shembulli më i freskët për këtë është rasti me partinë më të madhe opozitarë në Jordani, Fronti Aksionar Islamik (IAF), e cila javë më parë i mbylli zyrat e saj në Aman në shenjë proteste kundër rënies së lirisë publike dhe mosrespektimit të opozitës nga ana e qeverisë.

c) Në grupin e tretë të opozitarëve hyjnë lëvizjet ose grupimet politike kundërshtuese të sistemit anti-system opposition – në këtë tip të opozitës bëjnë pjesë grupimet politike, ndaj të cilave tregohet i ashpër dhe u kanoset vazhdimisht. Kjo opozitë do të tolerohej vetëm nëse do të kishte një rol margjinal ose ndikim tejet të dobët për ta shtrirë doktrinën dhe ideologjinë e saj në shoqëri.

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, në këtë kategori përfshihen lëvizjet politike islame, qoftë ato të moderuara, qoftë ato më radikale në qëndrimet e tyre. Lindja e Mesme është rajoni i vetëm ku opozita dominuese përbëhet nga partitë ose lëvizje politike që posedojnë agjendë me një diskurs të fuqishëm religjioz islam.

Në këtë lloj të opozitarizmit nuk dominon vetëm retorika për çështje politike, socio-ekonomike, të drejta të njeriut e aktivizëm politik, por opozita e tillë e kundërshton gjithë paradigmën shtet/kombndërtuese të Lindjes së Mesme gjatë gjithë periudhës post-kolonialiste.

Egjipti përbën shembullin më tipik sesi këto grupime politike janë opozitarët më të zëshëm të pushtetit dhe njëherazi gëzojnë mbështetje te masa e gjerë, por që regjimi vazhdimisht i ndrydh dhe ushtron dhunë mbi ta, kurse aktivistët politikë i përndjek dhe persekuton. Në bazë të këtij “rregulli”, në vitin 2014 pushoi së ekzistuari Partia për Liri dhe Drejtësi në Egjipt – krahu politik i Vëllazërisë Myslimane, si dhe në vitin 1992 në Algjeri partia e Frontit Islamik për Shpëtim.

Nën autoritarizëm, opozitarët kryesorë janë promotorët e demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Ato paraqesin bllokun kundërshtues të sistemit autoritar. Në qarqe të ndryshme akademike perëndimore opozitarët kundërshtues të sistemit – anti-system opposition – të Lindjes së Mesme janë perceptuar pikërisht si oponentë të demokracisë. Artikuj të kësaj natyre qarkulluan nëpër media ndërkombëtare prestigjioze se vallë sa Perëndimi e dëshiron demokracinë në Lindjen e Mesme.!? Studiuesi O. Roj (Oliver Roy) në një artikull të tij të publikuar pas zgjedhjeve parlamentare, që u zhvilluan në vitit 2011 në Tunizi dhe Egjipt, ku fitues dolën partitë që vinin nga lëvizjet islame, përmendi “neoautoritarizmin” dhe “Dimrin Arab”!

“Pranvera arabe”, e cila filloi në vitin 2010 kishte për qëllim rrëzimin e diktaturave të Lindjes së Mesme dhe instalimin e  një autoriteti civil – Civil authority – erdhi si rezultat i revoltës së grupeve opozitare të kategorisë së dytë (b) dhe të tretë (c).

Mosdëgjimi i kërkesave opozitare dhe shtypja e tyre vazhdimisht prodhoi tragjedinë siriane ose krizën më të rëndë humanitare të kohës sonë. Vlen të përmendim se grupe të ndryshme opozitare në Siri që nga viti 2005, me Deklaratën e Damaskut, kritikuan qeverinë dhe kishin bërë thirrje për tranzicion gradual, reforma dhe më shumë të drejta, por ba’athistët nuk i morën parasysh këto kërkesa.

Në Lindjen e Mesme lëvizjet dhe partitë politike opozitare do të duhej t’i rishikojnë ideologjitë dhe ofertat e tyre politike, të ofrojnë një program të atillë, i cili do të jetë i pranuar për të gjithë qytetarët pa dallim grupi etnik dhe religjioz. Një program, i cili do të kooperojë me  mënyrën më të mirë të mundshme me demokracinë dhe pluralizmin. Demokratizimit të Lindjes së Mesme i nevojitet mbështetje edhe nga Perëndimi, ashtu sikurse ky i fundit mbështeti demokracinë në disa pjesë të Evropës.

Artikulli paraprakDAVUTOĞLU: Buharaja, Konja dhe Shkupi janë tri qytete të ndryshme, ku ndjen të njëjtë gjë
Artikulli vijuesAfrim Hoti për rastin e Buzhalës: Kosova nuk duhet ta injoroj kërkesën e Turqisë