Agjencia e Barazisë Gjinore e Zyrës së kryeministrit, dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ua kanë adresuar së fundmi edhe një shkresë të gjitha komunave të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nëpërmjet saj, ua rikujtojnë obligimet, kundrejt zbatimit të Ligjit të Barazisë Gjinore gjatë formimit të organeve të tyre vendimmarrëse.
“Duke shfrytëzuar rastin e fillimit të ushtrimit të mandatit tuaj, ABGJ-ja dhe MAPL-ja ju rikujtojnë mandatarëve përgjegjës për funksionalizimin e organeve komunale, Kuvendit të Komunës, si organi më i lartë dhe Ekzekutivit komunal se propozimet e kandidatëve për zv.kryetar. kryesues, zv.kryesues të Kuvendit, kryesues dhe zv.kryesues të komiteteve dhe plotësimit të Ekzekutivit me drejtorë, se kanë obligime për të respektuar zbatimin e Ligjit të barazisë gjinore, i cili përcakton përfaqësim të barabartë prej 50 për qind në të gjitha organet e tyre”, thuhet në këtë shkresë.