Kontesti Komunë-Ipeshkvi mban peng 86 pronarë biznesesh në Prishtinë

Më shumë se 80 pronarë të bizneseve të vogla, të cilët veprimtarinë e tyre deri në vitin 2010 e zhvillonin në rrugën “Perandori Justinian”, kanë mbetur peng i zgjidhjes së kontestit pronësor midis Ipeshkvisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
 
Këtë e ka thënë të martën përfaqësuesja e pronarëve të atyre lokaleve, Drita Rexhepi, sipas së cilës nga nëntori i vitit të kaluar nuk është bërë asnjë lëvizje.
 
Aktiviteti i fundit në Gjykatën Themelore të Prishtinës për këtë çështje është mbajtur më 25 nëntor të vitit të kaluar, afërsisht tre muaj prej kur Gjykata e Apelit e kishte prishur aktgjykimin e të parës, që e kishte favorizuar Komunën rreth kontestit.
 
Se nuk ka ndonjë lëvizje në drejtim të zgjidhjes së problemit, në njëfarë mënyre e ka konfirmuar edhe avokatja e Ipshekvisë së Kosovës, Iliriana Osmani-Sereçi. Ajo është shprehur se nuk e kanë asnjë informacion nëse është bërë ekspertiza apo jo.
 
Nga ana tjetër, përfaqësuesi juridik i Ndërmarrjes Publike Banesore, e cila ka investuar në ndërtimin e lokaleve, Heset Mazrekaj, ka theksuar se çështja është komplikuar pa nevojë dhe se sipas tij, të gjithë janë të interesuar që procesi të zhvillohet sa më parë që të jetë e mundur.
 
Sipas tij, vonesat po u kushtojnë të gjithëve, si qiraxhinjve e pronarëve privatë, ashtu edhe ndërmarrjes, e cila ka marrë disa penallti. 
 
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Komunale Banesore, Sabedin Haxhiu, i pati deklaruar “Kohës Ditore” se duke filluar nga nënkalimi deri te Katedralja Katolike kanë funksionuar 86 lokale afariste, 18 prej tyre kanë vepruar në prona private, kurse të tjerët në prona publike.
 
Shumica e lokaleve ishin rrënuar nga vetë Komuna e Kontesti ka lindur për faktin se Komuna pretendon se ia ka dhënë Ipeshkvisë së Kosovës vetëm 64 arë tokë, vetëm atë ku ka qenë objekti i gjimnazit “Xhevdet Doda”, kurse Ipeshkvia mbron qëndrimin se Komuna ia ka dhënë 1 hektar e 30 arë./Koha
Artikulli paraprakINPO: Premtimet e papërmbushura të Ahmetit në kryeqytet
Artikulli vijues9 të famshmit amerikan që ju ndoshta se keni ditur që janë mysliman