Clarissa Ward, correspondente e CNN-it, e cila ka raportuar për më shumë se një dekadë mbi luftëra të ndryshme, e ka përshkruar me fjalën “ferr” gjithë çka po ndodh në Siri gjatë një dëshmie të saj më herët gjatë këtij muaji në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ward ka thënë se gjatë tërë përvojës së saj në mbulimin e luftërave nuk ka parë asgjë të ngjashme me atë çfarë i kanë zënë sytë në Halep.
Ajo është tronditur nga shkalla e shkatërrimit teksa ka vozitur nëpër Halep.
“E dëgjuat Dr. Samer Attar duke përdorur fjalët ‘shkretëtira apokaliptike’,” ka vijuar Ward, duke iu referuar mjekut të Fondacionit Siriano-Amerikan, i cili ka dëshmuar po ashtu. “Këto janë fjalët që i shkruajta, dhe duken si një hiperbolizim, por në fakt nuk janë.”
Siria është dukur si një “djerrinë apokaliptike” edhe në vitin 2012, vetëm një vit pas fillimit të luftës civile mes forcave të Esadit dhe atyre rebele.
“Granatimet ishin të pamëshirshme, kishte snajperë kudo, dhe e kam të freskët ndjenjën e lodhjes nga të qenurit e shtangur gjatë gjithë kohës,” ka rrëfyer Ward. “Më duhet të përdor të njëjtat fjalë të cilat i dëgjuam prej mjekëve, se qyteti është një ferr i vërtetë.”
Ward gjithashtu tregoi se si lufta është përkeqësuar sidomos pas ndërhyrjes së Rusisë, e cila hyri në skenë vitin e kaluar. Që atëherë, forcat ruse kanë kryer sulme ajrore në mbështetje të regjimit të Esadit, duke pretenduar që kjo është një luftë kundër terrorizmit.
Sirianët, në anën tjetër, thonë se sulmet ajrore ruse kanë goditur spitalet e mbushur me civilë të pafajshëm, burra, gra e fëmijë. /tesheshi.com/