Përçarësit e kombit shfaqen edhe aty ku nuk i pret askush

Nga Prof. Dr. Milazim Krasniqi

Kriza kronike e mendimit intelektual dhe shkencor ndër shqiptarë, tashmë ka filluar të prodhojë elementet e paragjykimeve dhe përçarjeve brenda kombëtare. Jo rastësisht provokimi  ka filluar te sporti, aty ka pati filluar të saldohej uniteti i brishtë kombëtar.  Armiqtë e kanë përllogaritur saktë ku duhet të godasin. Ata nuk e kanë as me Majlinda Kelmendin as me Milot Rashicën. Ata dhe sponsorët e tyre e kanë një konflikt serioz me kombin tonë. Duan ta përçajnë nëpër linjat, ku llogarisin se ka më shumë emocione e dobësi uniteti ynë, te sporti dhe te besimi fetar.

Mendimi intelektual dhe shkencor është dashur gjatë këtyre viteve t’i ndërgjegjësojë shqiptarët për realitetet e reja dhe sprovat e reja kombëtare: me pavarësimin e Kosovës, ne tashmë jemi një komb me dy shtete (e me disa territore etnike jashtë të dyjave) jemi sikundër që kemi qenë e do të mbetemi gjithmonë, një komb me tre fe, ku duhet të respektohet diversiteti fetar, se jemi një komb i varfër, që mund të pasurohet vetëm duke e ndërlidhur ekonominë, arsimin, kulturën kombëtare dhe duke i identifikuar saktë interesat strategjike kombëtare, pra edhe emëtimin e miqve dhe të armiqtë realë e potencialë.

Fatkeqësisht, kombi ynë sot për sot është i zhveshur nga mendimi intelektual dhe shkencor e me këtë edhe nga vlerat e nacionalizmit  të mirëfilltë shqiptar. (Stalinizmi dhe neoliberalizmi me mbeturinat dhe variacionet e tyre  janë antinacionalizëm dhe antikombëtarizëm gjithmonë.) Ndërsa, asnjë komb në kontinentin tonë as nuk është krijuar e as nuk arrin të mbijetojë pa nacionalizmin e mirëfilltë – gjeneratorin e bashkimit, integrimit, identitetit, fuqizimit dhe zhvillimit. Ata që e shajnë veten, (pra njëri- tjetrin, ata që e luftojnë fenë e vet ose fenë e njëri tjetrit, ata që rivalizojnë aty ku duhet të jenë të bashkuar, ata janë pararoja e armiqve që presin në pusi.

Rilindasit tanë e morën fuqinë nga respektimi  që u bënë diversiteteve brenda kombit, prandaj edhe e patën atë sukses që e patën – formimin e një kombi modern shqiptar.

(Për më shumë për këtë temë kam shkruar librin “Nacionalizmi shqiptar”, ama pak njerëz e kanë vu ujin në zjarr për ekzistimin e tij.)

Observer.al

Artikulli paraprakKorrespondentja e CNN-it përshkruan ferrin në Halep: Kurrë nuk kam parë diçka të ngjashme
Artikulli vijuesKy është Njeriu, i cili… bëhet arrogant, mohues, zullumqar, mëndjemadh…