Në mungesë të një industrie të zhvilluar të prodhimtarisë, Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike.
Vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë sipas të dhënave zyrtare arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.
Ky debalanc tregtar, për ekspertin e çështjeve ekonomike, Naim Gashi tregon gjendjen e rëndë të sektorit të prodhimit në vend.
“Kosova është një vend i cili i importon 2.6 miliardë euro produkte brenda vitit dhe këtu mendojë që ka hapësirë të madhe për bizneset vendore edhe biznese të huaja që të investojnë të krijojnë prodhime dhe shërbime në mënyrë që të shkurtohet hendeku i importit të madh që po vie nga bota e jashtme”, thotë Gashi.
Të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.
Shumica e këtyre produkteve të cilat importohen nga Serbia apo edhe nga shtetet tjera, thotë eksperti i i ekonomisë Naim Gashi mund të prodhohen edhe në Kosovë me një kosto më të lirë.
“Për të krijuar biznese, afaristët duhet të shkojnë në Doganat e Kosovës dhe t’i marrinë listat se cilat janë produktet të cilat importohen më së shumti në Kosovë dhe të investojnë në ata sektorë, për arsye se nëpërmes investimeve të tyre në Kosovë do të jenë më konkurrent sesa produktet e jashtme, pasi që nuk do ta kenë koston e transportit dhe do të kenë një fuqi të lirë punëtore brenda tregut vendor”, theskon Gashi.
Për të rritur prodhimtarinë autoritetet e Kosovës janë në përfundim e sipër të një pako të re fiskale.
Zyrtarë qeveritarë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se me pakon e re fiskale e cila pritet të hyjë në fuqi në muajin maj të këtij viti, procesi zhvillimor i prodhimtarisë do të shënojë hapa pozitiv.
Ata kanë thënë se ‘Kosova ka kapacitete për të zëvendësuar disa produkte të cilat importohen dhe jo vetëm të zëvendësohen, por të krijohen edhe potenciale për pjesëmarrje në tregun ndërkombëtarë nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit’.
Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se prodhuesit vendor janë të penguar nga konkurrenca që vjen nga jashtë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, thotë se politikat fiskale nuk janë në favor të prodhuesve.
“Qeveria vazhdon që të bënë përpjeke për ndryshime kozmetike të politikave fiskale e që këto janë të pamjaftueshme për të rritur fuqinë konkurruese të prodhuesit vendor. Prodhuesit vendor edhe më tutje janë të sfiduar nga këto politika të këqija dhe nga këto politika të shtrenjta fiskale e që janë më të shtrenjta në Ballkanin perëndimorë”, thekson Shahini.
Importi i madh i produkteve vlerësohet si mjaft shqetësuese nga ekspertë të fushës dhe përfaqësues të bizneseve pasi që po shkakton përveç tjerash edhe largimin e parasë së gatshme nga tregu i Kosovës. (REL)