Kosova më e rrezikuar nga politikat e Thaçit sesa nga ISIS-i dhe Rusia

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për kërcënimet që mund të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, ka theksuar se Ballkani Perëndimor po kërcënohet nga ISIS dhe ndikimi në rritje i Rusisë.
 
Analisti politik, Arbër Gashi vlerëson se, Kosovës rreziku më i madh i vjen nga politika e brendshme për të cilën Hashim Thaçi me shokët e PDK-së i kanë përgjegjësitë e tyre, e tek pastaj mund të flasim për rreziqet që na kanosen nga jashtë.
 
“Është e vërtetë se ISIS paraqet rrezik real për vendet e rajonit dhe për Kosovën. Por, rrezik ekuivalent me atë të ISIS për Kosovën paraqet edhe politika e agresionit kushtetues të shtetit serb, politika uzurpatore dhe raciste e kishës ortodokse serbe, Marrëveshja e Brukselit, demarkacioni me Malin e Zi dhe tek në fund mund të flasim edhe për rrezikun real nga Rusia”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.
 
Ai thotë se, që nga rënia e perdes së hekurt dhe armëpushimit të nënshkruar në Kumanovë, Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar se tash.
 
“Shkaqet janë të shumta, por aty mbizotërojnë gabimet e politikës vendore për të cilën Hashim Thaçi dhe PDK mbajnë përgjegjësi historike”, thotë Gashi.
 
Ndërsa, publicisti dhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se Kosova nuk rrezikohet nga Rusia drejtpërdrejtë, kurse nga ISIS-i rrezikohen kombet myslimane.
 
“Ndoshta Thaçi rrezikun prej Serbisë e ka menduar si ndikim rus. Se përndryshe Kosova nuk rrezikohet nga Rusia drejtpërdrejtë përveç se përmes Serbisë. Ndërsa nga ISIS rrezikohen gjithë kombet myslimane e natyrisht edhe kombi kosovar si komb muslimano-katolik”, thotë Spahiu për gazetën “Bota sot”.
Artikulli paraprakNdëgjo pse Adem Jashari përmendet sot për të mirë – Hoxhë Bekir Halimi (VIDEO)
Artikulli vijuesNjë mesazh nga Hoxhë Bekir Halimi për ata që i shkelën parimet Fetare për Interes Personal (VIDEO)